E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimet për Enciklopedinë: Përçarje mes shqiptarëve e maqedonasve

Në vijim të reagimeve për skandalin e krijuar pas publikimit të Enciklopedisë Maqedonase, që i cilëson shqiptarët ardhacakë dhe njerëz mali, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti deklaron se enciklopedia duhet të hiqet nga qarkullimi dhe të pezullohet këshilli miratues i këtij dokumenti.
"Pres që akademikë të komunitetit maqedonas të reagojnë mbi këto dokumente dhe të rishikojnë këtë dokument përçarës dhe luftënxitës mes komunitetit shqiptar e maqedonas"- tha ai.
Në të njëjtën linjë është edhe Xhevat Ademi, anëtar i kryesisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, sipas të cilit "Enciklopedia e re e Maqedonisë është me përmbajtje tendencioze, që nuk e reflekton realitetin e të gjithë popujve, që jetojnë në Maqedoni, e veçanërisht të popullit shqiptar".



Reagojnë veteranët e UÇK: Të hartohet 'Enciklopedia shqiptare'

Shoqata e Veteranëve të UÇK-së "Kalaja" kanë reaguar lidhur me heshtjen e institucioneve dhe intelektualëve shqiptarë për botimin e "Enciklopedisë maqedonase", që sipas kësaj shoqate është shumë poshtëruese për shqiptarët.

Sipas kësaj shoqate, kësaj enciklopedie qarqet intelektuale shqiptare duhet t`i kundërvihen me argumente dhe fakte shqiptare, duke hartuar një enciklopedi të mirëfilltë që mbron vlerat shqiptare në Maqedoni.

"Apelojmë që sa më shpejtë Shoqata e Historianëve Shqiptarë të punojë në hartimin e një `Enciklopedie Shqiptare` të këtyre trevave tona", thuhet në thirrjen e shoqatës së veteranëve "Kalaja", duke reaguar për praninë e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe presidentit Gjorgje Ivanov në takime të tilla që siç thuhet "kanë tendenca fashizoide".
(INA)



Enciklopedia Maqedonase, shkakton debat e zemërim: 'Shqiptarët, njerëz mali'

Qytetarët shqiptarë në Maqedoni shprehen jashtëzakonisht të fyer me përmbajtjen skandaloze të Enciklopedisë së parë të Maqedonisë, të promovuar ditë më parë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë., në të cilën akademikët maqedonas paraqesin shqiptarët si të ardhur nga Shqipëria, dhe uzurpues të shtëpive maqedonase. Reagon ashpër shoqëria civile.

Në këtë enciklopedi të financuar nga Qeveria e Maqedonisë, akademikët maqedonas thonë se shqiptarët njihen si "arbanasë", "arnautë" dhe "shqiptari", kjo e fundit shoqërohet me shpjegimin përkatës (njerëz mali).

Në këtë enciklopedi shkruhet se "prejardhja e shqiptarëve të Maqedonisë është nga Veriu i Shqipërisë, fisi i gegëve dhe vendosja e tyre fillimisht ishe nëpër qytetet si Tetovë e Gostivar, të cilët me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase duke i detyruar të shpërngulen, për rrjedhojë vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë. Deri në fillimet e shekullit të XIX-të shqiptarët numëronin 20 mijë banorë".

Sipas akademikëve maqedonas, rritja e numrit të popullsisë shqiptare në Maqedoni argumentohet me natalitetin e lartë dhe migrimet nga Kosova

Nderkohe edhe Ambasadat britanike dhe amerikane në Shkup, kanë mohuar kategorikisht çdo lloj njoftimi që sygjeron ky botim, se ushtritë e dy vendeve kanë stërvitur Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›