E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, thirrje PS-së: Kthehu në Kuvend të vazhdojmë dialogun



Kryeministri Sali Berisha insiston për rikthimin e PS-së në Parlament dhe vazhdimin e bashkëpunimit për hir të reformave integruese. Z. Berisha sërish dje u bëri thirrje socialistëve të kthehen në Parlament, duke i kërkuar kryesocialistit Rama të lexojë vlerësimet për zgjedhjet e 28 qershorit. I bindur se nuk do të pranojë kërkesat që janë antiligjore, Berisha shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me opozitës për hir të integrimit evropian. Gjatë mbledhjes së parë të qeverisë së re, Kryeministri Berisha i kushtoi vëmendje të veçantë pikërisht opozitës, duke përsëritur ftesën për bashkëpunim brenda sallës së Parlamentit. "Në kuadër të ligjeve të vendit jemi të gatshëm të pranojmë çdo kërkesë të opozitës për çdo problem që ajo të gjykojë se është në interesin e saj apo të vendit. Për kërkesat që bien ndesh me ligjin, me parimin themelor të ndarjes së pushtetit, ato nuk duhet të mendohen as nga pozita e as nga opozita. Është rasti t’i bëj edhe një herë thirrje opozitës të zërë vendet në Parlament”, - deklaroi z. Berisha. Shpresoj, - shtoi ai, - që të gjitha thirrjet, vlerësimet që iu bënë këtyre zgjedhjeve, të lexohen dhe të rilexohen nga anëtarët e opozitës, nga z. Rama dhe ata të kthehen dhe të vazhdojnë bashkëpunimin në Parlament për reformat e mëdha, për përgatitjen e vendit, për të vazhduar më tej për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, në të cilat unë sot dhe sa të jemi në pushtet do t’i jap zë kryesor opozitës, sikundër kemi vepruar deri më sot.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›