E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha i dorëzon çelësat Metës, ia merr Nishanit



Ish-ministri Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, para se të merrte në dorëzim çelësat e zyrës së Nishanit në Ministrinë e Rendit, ia dorëzoi Metës ato të diplomacisë shqiptare. Në Ministrinë e Jashtme, Ilir Meta dhe Lulzim Basha, tashmë Mministër i Brendshëm, shtrënguan duart dhe i uruan suksese njëri-tjetrit në postet që do të mbajnë tani e tutje. Në fillim, z. Lulzim Basha, ish-ministër i Jashtëm dhe aktualisht ministër i Brendshëm, pasi falënderoi stafin e shërbimit të jashtëm për bashkëpunimin dhe punën e kryer gjatë kohës që ai ishte ministër, shprehu kënaqësinë e tij që në krye të diplomacisë shqiptare vjen një politikan me përvojë nga më të gjatat dhe që ka mbajtur postin e Kryeministrit si dhe të zv.kryeministrit e të ministrit të Jashtëm. Ai shprehu bindjen se shërbimi i jashtëm, me lidershipin e z. Meta do të plotësojë shumë mirë synimet dhe mandatin e politikës së jashtme të Qeverisë së Integrimit. Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta, shprehu kënaqësinë që në postin e tij po zëvendëson një politikan si z. Lulzim Basha, i cili ka pasur një performancë të shkëlqyer në krye të diplomacisë shqiptare. Ai po kështu u shpreh se me z. Basha do të ketë një bashkëpunim institucional shumë të frytshëm edhe në ditët që do të vijnë, sepse çështjet e integrimit dhe të arritjes së standardeve për liberalizimin e vizave e kërkojnë këtë.

Mbrojtja e Oketës, nga Gërdeci në anëtarësimin në NATO

Drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes e mori në një moment të vështirë, për shkak të tragjedisë së Gërdecit, por e dorëzoi në një kohë të bukur dhe historike, pasi Gazmend Oketa e lë atë me një objektiv madhor të realizuar: anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në një ceremoni të posaçme të organizuar me stafin e tij të ngushtë, z. Oketa vlerësoi dje besimin e Kryeministrit, duke e konsideruar largimin e tij si përfundim të mandatit të qeverisë "Berisha 1". "Pata fatin të vij, pavarësisht faktit në një moment të vështirë për institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes, por nga ana tjetër në një moment shumë të bukur historik, jo vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes, po për të gjithë shqiptarët, moment i cili përkoi me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ka qenë një objektiv madhor anëtarësimi, i cili tashmë është realizuar. Dhe qeveria “Berisha 2” ka një objektiv tjetër, anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe duke i uruar z. Imami suksese në detyrën e ministrit, por dhe nga ana tjetër duke shprehur bindjen se do të jetë një ministër i suksesshëm, dëshiroj që të shpreh dhe urimin për të gjithë kabinetin qeveritar", - tha z. Oketa. Ish-ministri i Mbrojtjes uroi ministrin e ri, Arben Imami, për suksese në punën e tij dhe shprehu besimin për realizimin e objektivit madhor të Shqipërisë, anëtarësimi në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›