E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Mbledhjet e hapura, ndryshim Kushtetutës



Ndryshimin e kanë nisur që nga vetja, për ta përcjellë më pas atë tek çdo shqiptar përgjatë 4 viteve të ardhshme. Të 15 ministrat, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha, u ulën paraditen e djeshme në karriget qeveritare, tashmë jo me dosje voluminoze përpara, por me kompjuter personal, Lap-Top. Por jo vetëm kaq, pasi transparenca plotësohet më së miri nëse mbledhjet e ardhshme të qeverisë do të bëhen të hapura për publikun. Ndaj kërkohet ndryshim i Kushtetutës për zhvillim të hapur të mbledhjeve të Këshillit të Ministrave. Ky është premtimi i parë i Kryeministrit Sali Berisha me kabinetin e ri 2009-2013. Z. Berisha njoftoi se qeveria e tij do të jetë E-kabinet dhe e hapur me publikun, duke nisur që nga zhvillimi i mbledhjeve. "Gradualisht, duke gjetur një interpretim të Kushtetutës, do të doja që mbledhjet e këtij kabineti të jenë transparente për publikun, i cili të adresojë, gjatë mbledhjes, pyetje dhe çështje për ato që diskutohen këtu. Ky është një nga qëllimet e E-kabinetit. Për momentin kemi një pengesë kushtetuese, e cila thotë se mbledhjet janë të mbyllura, por, nëse do të isha unë në opozitë, votën e parë që do t’i jepja qeverisë për të ndryshuar Kushtetutën do të ishte për të imponuar zhvillimin e mbledhjes hapur", - bëri të ditur Berisha, duke i dhënë një rëndësi të veçantë marrëdhënieve me publikun. Gjithsesi, mbledhja e parë e qeverisë “Berisha 2” dje filloi me sistemin e ri E-kabinet, çka do të thotë shpejtësi dixhitalike për këtë qeveri. Kjo sipas z. Berisha, kërkon një angazhim, i cili nuk do të mungojë, për të shndërruar në realitet programin më ambicioz të shpallur ndonjëherë para zgjedhësve shqiptarë. “E-government do të thotë gjithçka në rrezen e diellit, gjithçka transparente në të gjitha zyrat, agjencitë dhe kabinetet tona. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asgjë më të shëndetshme se një administratë në rreze të diellit. E-government do të thotë reforma të thella e të mëdha, të cilat në katër vjet do të formësojnë një Shqipëri tjetër, Shqipëria, anëtare e NATO-s; Shqipëria, vendi me infrastrukturë moderne; Shqipëria, vendi në moshën dixhitale; Shqipëria, vendi që ka konsoliduar shpirtin dhe frymën sociale; arsimin dhe shëndetësinë të standardeve më të mirë; pavarësinë e institucioneve”, - u shpreh z. Sali Berisha. Deri tani, Këshilli i Ministrave ka proceduar me dosje voluminoze të vendimeve të qeverisë në çdo mbledhje të saj. Tani e tutje me vendimet do të procedohet përmes kompjuterëve Lap-Top dhe shqyrtimi i tyre do të bëhet direkt në internet. Por Kryeministri Sali Berisha synon shumë më tepër se kaq, zhvillimin e mbledhjeve të hapura për publikun, të cilit do t’i krijohen mundësitë që të ndërhyjë me pyetje për anëtarët e kabinetit qeveritar për çdo ligj para se ai të miratohet. Një gjë e tillë pritet të rrisë transparencën e Këshillit të Ministrave ndaj publikut.

Betimi i qeverisë, krerët e shtetit mblidhen në Presidencë

Betimi mbi Kushtetutë i qeverisë “Berisha 2”, mblodhi dje drejtuesit më të lartë të institucioneve kryesore të vendit tek Presidenti i Republikës. Ata morën pjesë në ceremoninë e betimit të anëtarëve të rinj të Këshillit të Ministrave, i hapur me himnin kombëtar dhe me leximin e formulës së betimit. I pari që firmosi ishte Kryeministri Sali Berisha dhe pas tij, të 15 ministrat e qeverisë së re. Me dorë mbi Kushtetutë bënë betimin: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikmëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave”. Në ceremoninë zyrtare të betimit të zhvilluar në Presidencë ishin të pranishëm kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari e Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku, Avokati i Popullit, Emir Dobjani, kryetari i SHISH-it, Bahri Shaqiri, kryetari i ILKP, Adriatik Llalla, kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, deputetë dhe anëtarë të kabinetit të Presidentit të Republikës. Në vend të fjalimit përshëndetës, Presidenti Topi trokiti gotat e shampanjës me anëtarët e rinj të kabinetit, shumica e të cilëve e kanë kryer edhe herë të tjera ritin e betimit përpara fillimit të detyrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›