BE, Rehn: Opozita, bashkëpunim me qeverinë në Kuvend
BE-ja kërkon me çdo kusht dialog mes pozitës dhe opozitës, ndaj komisioneri për Zgjerim, Olli Rehn, i bën thirrje PS-së që të bashkëpunojë me qeverinë “Berisha” me qëllim përmbushjen e reformave për anëtarësimin e shpejtë në BE. Në mënyrë që Shqipëria të sigurojë në një kohë sa më të shpejtë një anëtarësim me të drejta të plota në Bashkimin Evropian, duhet që për këtë ajo të tregojë aftësitë e duhura, kryesisht në sferën politike. Ky mesazh vjen nga komisioneri evropian për Zgjerimin, Olli Rehn, ndaj politikës shqiptare dhe në mënyrë të veçantë ai i drejtohet opozitës, e cila vazhdon të mos marrë pjesë në Parlament. Z. Olli Rehn uroi dje Kryeministrin Sali Berisha për riemërimin e tij në krye të qeverisë si dhe për miratimin e qeverisë së re. Duke marrë në konsideratë vlerësimet e raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR-it për procesin zgjedhor të 28 qershorit në vendin tonë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian ka vënë në dukje faktin se pas zgjedhjeve, tani sfida tjetër e vendit është realizimi i reformave. E lidhur me përmbushjen e tyre, Olli Rehn bëri të ditur se qeveria duhet të bashkëpunojë patjetër me opozitën. “Të sigurohet dialogu politik me çdo kusht për të mundësuar ecurinë e reformave. Dialogu të reflektohet edhe në zgjedhjet e ardhshme”, - pohoi lidhur me një fakt të tillë komisioneri evropian i Zgjerimit. Në mesazh Rehn përgëzon Kryeministrin për progresin e arritur përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike si dhe reformat integruese të vendit. “Shqipëria ka treguar gatishmërinë e saj për ecjen përpara drejt rrugës së integrimit evropian. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka hyrë në fuqi dhe po zbatohet mirë. Ju keni aplikuar për anëtarësim në BE. Gjithashtu, progres i mirë është arritur në plotësimin e standardeve për liberalizimin e vizave, por nevojiten përpjekje të mëtejshme. Komisioni mbetet i angazhuar për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, - deklaroi z. Rehn. “Tani, - shtoi ai, - që zgjedhjet u përmbyllën, në përputhje me pjesën më të madhe të angazhimeve të OSBE-së, përpara keni sfida të rëndësishme, në mënyrë që të përparohet me axhendën e reformave”. Përfaqësuesi i lartë i BE-së vë në dukje se Parlamenti dhe Kryeministri kanë një rol thelbësor në këtë kontekst. “Ju inkurajoj, i dashur z. Kryeministër, si edhe qeverinë tuaj të re, të punoni së bashku me opozitën në Parlament, në çuarjen përpara të axhendës së reformave evropiane. Shpresoj që të gjithë liderët politikë të sigurojnë zhvillimin e një dialogu politik konstruktiv, në mbështetje të këtyre reformave. Pres që ky dialog i rivendosur të reflektohet në zgjedhjet e ardhshme, në përputhje me rekomandimet e OSBE-së”, - deklaron z. Olli Rehn. Sipas tij, i takon Shqipërisë të tregojë aftësinë e saj në kalimin në fazën tjetër të integrimit në BE, në veçanti duke përmirësuar shtetin ligjor dhe fuqizimin e institucioneve demokratike. “Sigurimi i pavarësisë së gjyqësorit, rritja e aftësisë administrative dhe vazhdimi i implementimit të mirë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, janë elementë të rëndësishëm për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët, afrimin e Shqipërisë me Evropën. Ju uroj sukses në përballjen me sfidat e ardhshme dhe punën drejt të ardhmes evropiane të Shqipërisë”, - shkruan në mesazhin e tij komisioneri evropian për Zgjerim, z. Olli Rehn.
Barroso: Për hyrjen në BE keni mbështetjen e KE-së
Shqipëria merr një tjetër garanci nga Komisioni Evropian për integrimin sa më të shpejtë në familjen evropiane. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, uroi dje përmes një mesazhi të posaçëm Kryeministrin Berisha për riemërimin e tij si Kryeministër i vendit dhe miratimin e qeverisë së re. “Në emër të Komisionit Evropian dhe emrin tim, do të dëshiroja t’ju uroja për rizgjedhjen tuaj si Kryeministër i Shqipërisë dhe miratimin nga Parlamenti të qeverisë së re që Ju drejtoni”, - nis mesazhi i urimit të Barroso-s, i cili vetë dje ka marrë miratimin për të drejtuar edhe për një mandat të ri institucionin e Komisionit Evropian. Sipas tij, tani që ka hyrë në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ai beson se qeveria shqiptare do të tregojë vendosmëri në përmbushjen e sfidave drejt integrimit evropian, veçanërisht në forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve demokratike. “Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar në mbështetjen e përpjekjeve të vendit tuaj në këtë proces. Shqipëria ka dëshmuar vullnetin e saj në nxitjen e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor dhe kam besim se vendi juaj do të luajë një rol konstruktiv në rajon. Ju uroj suksese në trajtimin e sfidave që ju presin përpara dhe në punën për përmbushjen e të ardhmes evropiane të Shqipërisë”, - përfundon mesazhi i Barroso-s.
Kushner, Berishës: Me 28 qershor, ju shënuat progres
Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner, siguron Kryeministrin Sali Berisha se Franca do t’ju përkrahë dhe do të mbështesë plotësisht përpjekjet tuaja për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Bernard Kushner uroi dje Kryeministrin Berisha për rimandatimin e tij në krye të qeverisë shqiptare. Në urimin e tij, z. Kushner shprehet: “Është një kënaqësi për mua t’ju përcjell, në emrin tim dhe në emër të autoriteteve franceze, urimet e mia më të sinqerta dhe të përzemërta, me rastin e rimandatimit tuaj në krye të qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Bashkëqytetarët tuaj e rinovuan besimin e tyre tek ju, në mënyrë që ju të vazhdoni ta çoni Shqipërinë përpara në rrugën e saj drejt Evropës. E njoh vendosmërinë tuaj për të vijuar reformat e domosdoshme për këtë. Unë dua t’ju siguroj se Franca do t’ju përkrahë dhe do të mbështesë plotësisht në përpjekjet tuaja për t’u integruar në Bashkimin Evropian”. Kushner shton në mesazhin e tij: “Ashtu siç dhe jeni në dijeni, unë jam i përkushtuar për vijimin dhe thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Unë ju kam njoftuar, që në takimit tonë të fundit në 24 prill, për planin tim për të shoqëruar në Tiranë një delegacion industrialistësh francezë, të cilët kanë dëshirë të studiojnë të gjitha mundësitë e investimeve në vendin tuaj. Ky udhëtim është parashikuar të bëhet gjatë vjeshtës”.
Frattini: Ju garantojmë bashkëpunim për në BE
Shqipëria ka të garantuar përkrahjen e qeverisë italiane në procesin e integrimit evropian. Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, mori dje një mesazh urimi nga homologu i tij italian, Franco Frattini. Në letrën e tij dërguar ministrit Meta, shefi i diplomacisë italiane i garanton qeverisë së re mbështetjen e palës italiane për realizimet e detyrave që ajo i ka vënë vetes. “Shqipëria, ashtu siç pata mundësinë të nënvizoj edhe gjatë vizitës sime më 27 tetor 2008, ka bërë hapa domethënës dhe shpesh herë jo të lehta, në rrugën e përafrimit me institucionet euro-atlantike, një udhë kjo që duhet të përshkohet me të njëjtën vendosmëri edhe në hapat e fundit dhe të gjata, për të cilat qeveria e Tiranës mund të vazhdojë të mbështetet në miqësinë dhe përkrahjen e Italisë. Në këtë frymë, eksperienca juaj e kaluar përbën një garanci solide”, - thuhet në letrën e Frattini-t. Në lidhje me bashkëpunimin dypalësh, ministri i Jashtëm bëri të ditur se Roma dhe Tirana janë të lidhura nga një bashkëpunim i shkëlqyer, që gjen rrënjët e saj të qëndrueshme në thellësinë e ndjenjave miqësore që lidhin dy popujt tanë.