E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosove-Serbi, borxhi ekonomik 1.4 miliard euro

Paketa e Ahtisarit detyron që Kosova t’i paguajë borxhin e prapambetur Serbisë. Flasin ekspertët më të mirë kosovarë. Shifra luhatet nga 800 deri në 1.4 miliardë euro
Kosova shpalli Pavarësinë e vetë dhe përveç festës, apo korrigjimit të historisë, shteti i Kosovës do të nisë punën i zhytur në një borxh të lartë. Pakoja Ahtisari, e cila u miratua nga Kuvendi i Kosovës, ka përcaktuar që borxhi i trashëguar nga ish-Jugosllavia, por që është përdorur në Kosovë, duhet të paguhet nga shteti i ri. Pakkush e kupton që ky borxh kap një shifër alarmante, që përafërsisht llogaritet nga 800 milionë euro deri në 1.4 miliardë dollarë. Diskutimet Kosovë-Serbi do të vazhdojnë me vite për përcaktimin final të këtij borxhi. Gjatë diskutimeve të statusit me dyer të mbyllura, Serbia e ka përdorur këtë borxh si mjet presioni.
Sfida e borxhit
Kosova do të duhet të mbajë në supe një borxh të trashëguar në vite, i cili nuk është përcaktuar ende dhe nuk dihet sesa do të jetë ky borxh. Paketa “Ahtisari”, e pranuar nga ndërkombëtarët dhe vetë Kosova, detyron që shteti i ardhshëm të marrë përsipër shlyerjen e këtij borxhi. Kompromisi në këtë pikë duket se do të jetë akoma më i vështirë se statusi final i Kosovës. Vendet e tjera në ish -Federatën Jugosllave ishin dakord që të mbartin borxhin, por Kosova, krahas kësaj, do të kërkojë që pala serbe të paguajë dëmshpërblim për luftën, zhvillimin e ekonomik etj. Në rastin konkret, dëmshpërblimi do të paguhet me uljen e sasisë së borxhit të jashtëm që do t’i faturohet Kosovës. Ndonëse sllovenët, kroatët e boshnjakët nuk e kanë hapur asnjëherë problemin e dëmeve të luftës, kosovarët kanë kërkuar ta bëjnë këtë, madje duke evidentuar të gjitha pasojat në ekonomi që nga viti 1990. Prandaj, zgjidhja e problemeve të borxheve të Kosovës ndaj institucioneve ndërkombëtare financiare, siç janë FMN-ja, BB-ja, Klubi i Parisit, apo Klubi i Londrës, do të krijonte kushte për bashkëpunim të mëtejmë ndërmjet tyre. Por, siç kanë deklaruar krerët politikë dhe ekspertë nga ekonomia, së pari duhet përfunduar ndarja e pasurisë së përbashkët të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë, ku Kosova ka qenë pjesëmarrëse në krijimin e saj, pastaj të flitet për problemin e borxheve. Ndërkombëtarët kanë hapur problemin se kush to të paguajë për këtë borxh që është marrë. Njëkohësisht, kreditorët ndërkombëtarë, në bisedat e mëparshme e kanë shtruar të njëjtën pyetje.
Sa borxh do të trashëgohet
Nga të parët që ka folur me shifra ka qenë ish-nënkryetari i qeverisë së Serbisë, Labus, i cili është shprehur se borxhi i Kosovës është një miliard e katërqind milionë. Ndërkohë, ekspertët në Kosovë shprehen se ky borxh është më i vogël sesa pretendojnë serbët. Tashmë është e qartë se Kosova do ta marrë përsipër pjesën e vet të borxhit ndërkombëtar deri në vitin 1990 dhe pas vitit 1999, kur ka përfunduar Lufta në Kosovë. Shtypi kosovar i është përkushtuar kësaj çështjeje. Në një prononcim pak kohë më parë, Skënder Berisha, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, pohon se shifrat zyrtare se sa është borxhi ende mungojnë, megjithatë ai thotë se kjo shumë duhet të jetë më pak se një miliard dollarë, që sipas tij, nuk paraqet ndonjë problem për ta shpaguar. “Këto shifra, para viteve ‘90, para masave të dhunshme të Serbisë në ekonominë tonë, janë sjellë deri në një miliard dollarë. E tash, kur Serbia ka udhëhequr me ekonominë tonë, prej viteve ‘90 e deri në Luftën e fundit, a ka kthyer diçka apo jo, ne nuk kemi informacione”, - shprehet Skënder Berisha. Një tjetër ekspert, Nuri Bashota, mendon se borxhi i Kosovës ndaj organizatave të huaja financiare, që arrin deri në 785 milionë dollarë, tregon se në cilat institucione Kosova ka borxh. “Sipas institucioneve financiare të huaja, ajo mund të arrijë deri në 1 miliard e 100 milionë dollarë. Kosova i ka borxh Bankës Ndërkombëtare për Zhvillim, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Klubit të Parisit, Klubit të Londrës, Eximbankës dhe kredi të huazuara nga ish-vende socialiste. Këtu hyn edhe Banka Botërore”, - shprehet ai.
A mund të përballohet
Mundësia e shpagimit të këtyre borxheve për ekspertët nuk paraqet ndonjë problem. Nuri Bashota pohon se Kosova ka mundësi t’i shpaguajë me dy burime. “Njëri burim është marrja me suksesion e pasurisë së ish-Jugosllavisë, për arsye se ne kemi marrë pjesë në krijimin e pasurisë së ish-Jugosllavisë, prej tre deri në pesë për qind të produktit shoqëror të Kosovës. Prandaj, tani, me pakon e Ahtisarit, është dhënë mundësia që Kosova të paraqitet si pjesëmarrëse në pjesën që i takon nga pasuria e ish-Jugosllavisë. Dhe burimi i dytë për pagimin e këtyre mjeteve, është kompensimi i dëmeve të luftës”, - tha eksperti kosovar Bashota. Skënder Berisha pohon se në bisedimet me Klubin e Parisit dhe me atë të Londrës është thënë se një pjesë e borxhit do të shlyhet. “Një pjesë tjetër t’i prolongohet afati i kthimit, derisa të fillojmë pak një zhvillim ekonomik. Se praktikisht ne nuk kemi zhvillim ekonomik prej Luftës në Kosovë dhe besoj se një pjesë mund ta fshijë Klubi i Parisit dhe Klubi i Londrës”, - tha ai. Me gjithë faktin se është herët të flitet për një gjë të tillë, Nuri Bashota shpreson se institucionet financiare ndërkombëtare do t’i dalin në ndihmë Kosovës me shlyerjen e borxheve.

Pakoja e Ahtisarit, çfarë thotë për borxhet

Një zë i veçantë për borxhin ndodhet edhe në pakon e kryenegociatorit Marti Ahtisari. Në paketën e tij përsa i përket borxhit ndërkombëtar, thuhet se një vit pas fuqizimit të marrëveshjes për statusin, nëse pajtohen për marrëveshje, Kosova dhe Republika e Serbisë nuk pajtohen për përmbushjen dhe caktimin e borxheve, atëherë Grupi Drejtues Ndërkombëtar do të emërojë një arbitër që do të merret me ndarjen e borxheve në mes të dy vendeve. Marti Ahtisari ka gjetur zgjidhjen e duhur duke u lënë kohë që palët të zgjidhin kokë më kokë problemin e parave të marra borxh dhe në rast të kundërt, ky grup ndërkombëtar me përfaqësues edhe nga kreditorët do të ndajnë sipas zërave borxhin.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›