E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi i Berishës: “Socialistët kërkojnë ta kthejnë Vlorën në skafo-qytet si dikur”

03-04-2012 / L.Quku

Shefi i ekzekutivit shprehet kategorikisht kundër nismës së socialistëve për qarkullimin e mjeteve motorike në bregdetin shqiptar, e kërkuar me ngulm kjo nga deputetët Artan Gaçi dhe Ilir Gjoni. Edhe pse nisma do të diskutohet në komisionet parlamentare, në Kuvend mazhoranca do votojë kundër heqjes së moratoriumit

Kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë dje amendamentin e Partisë Socialiste për “heqjen e moratoriumit të mjeteve motorike”. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë tha se propozimi i selisë rozë është i papranueshëm, pasi sipas tij, vënia në lëvizje e industrisë së skafeve do të ishte një rikthim i fuqishëm i flukseve të trafiqeve kriminale drejt bregut tjetër të Adriatikut. “Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ka dorëzuar një ligj me të cilin kërkon shfuqizimin e ligjit numër 9509 datë 3.4.2006 “Për shpalljen e moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, me iniciativë të kryetarit të grupit. Duke shprehur respektin tim më të madh për nismën ligjvënëse të deputetëve të grupit të Partisë Socialiste, e cila dëshmon qëndrimin e tyre luajal ndaj Parlamentit, më duhet gjithashtu të theksoj, se kjo nismë është absolutisht e pa pranueshme. Për arsye se, vënia në lëvizje e industrisë së skafeve, do të ishte një rikthim i fuqishëm i flukseve të trafiqeve kriminale drejt bregut  tjetër të Adriatikut. Do të ishte një damkosje tjetër e pamerituar për Vlorën, për të cilën po diskutohej ta shpallin si gjiri më i bukur i Mesdheut. Tani ta bëjmë “skafo-qytet”, kjo nuk mund të ndodhë. Do të ishte e papajtueshme për zotimet e Shqipërisë për luftën zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Kohërat e “skafo-Republikës” kanë marrë fund, ndaj dhe më duhet të shpreh keqardhjen që kjo nismë nuk mund të pranohet nga ne”- u shpreh Berisha, duke garantuar se “mazhoranca është e vendosur të mbajë Moratoriumin”.
Ndërsa i është referuar konkretisht kërkesës së PS-së se shfuqizimi i ligjit do të rriste numrin e turistëve në vend, kryeministri theksoi se turizmi edhe gjatë moratoriumit të skafeve ka pësuar rritje. “Unë e kuptoj që rëndomtë përdoret argumenti se po na dëmton turizmin. Unë nuk dua ti lidh skafet me turizmit, por po të jetë kështu në periudhën e ndalimit të skafeve, turizmi u rrit 10 deri në 12 herë. Ndaj të mos përdorim argumente që nuk  qëndrojnë. Turizmi në periudhën e Moratoriumit të skafeve u rrit me 12 herë. Nuk kemi më viktima në varrin gjigant që u bë Otranto për vite të tëra. Fëmijë, gra, të rinj, burra, me qindra e qindra u mbytën. Duhet ta fshijmë nga memoria këtë problem të skafizmit. Vlora këtë vit po diskutohej me një juri për tu shpallur gjiri më i bukur i Mesdheut dhe ne nuk do ta nxijmë me skafe. Vlora dhe bregu shqiptar njohën bumet turistike më të mëdha në Mesdhe gjatë këtyre viteve që u mbyll skafizmi dhe industria e krimit dhe trafiqeve. Ndaj dhe më duhet të shprehem, se kjo nismë nuk mund të miratohet, sepse zotimi ynë është një luftë me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe një përpjekje e ndershme e përbashkët, së bashku me autoritetet italiane, që të mos ndodhë eksport trafiku dhe kriminaliteti nga bregu shqiptar në bregun tjetër dhe kjo është detyra që kemi gjithnjë ndaj fqinjëve tanë. Kështu që vendosa të bëj publik qëndrimin tim dhe të mazhorancës. Ky ligj do të mbetet në arkiva si një ligj i pa pranueshëm, natyrisht do të ndjekë procedurën e vet, por nuk mund të kemi ne asnjë lloj çedimi përsa i përket kësaj çështje” - tha kryeministri. Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike nisi me një minutë heshtje në nder të ish-kryetarit të këshillit të Qarkut të Korçës, Gëzim Demçolli i cili u nda nga jeta në moshën 54 vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Kryeministri Berisha vlerësoi figurën e z.Demçolli, i cili siç tha ai “la kujtimin më të mirë të një qytetari të respektuar në mbarë rrethin e Devollit dhe qarkun e Korçës, të një zyrtari të përgjegjshëm e të ndershëm, të një demokrati të flaktë, të suksesshëm dhe efiçent në punën e tij”. “Gëzim Demçolli ishte nga ata zyrtarë dhe intelektualë që fliste më shumë se me çdo gjë tjetër me veprat dhe punën e tij. Ai ishte një ndër qeveritarët vendorë më të zotë të kësaj mazhorance”- tha kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›