E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS, partia e skafeve

03-04-2012 / Gazeta 55

Tërheqja e opozitës ndaj ekonomisë informale dhe inkurajimi i botës së krimit ka marrë pamjen zyrtare të kërkesës për lejimin e skafeve në detet tona. Kohët kur financat partiake të bijve të brezit të dytë të nomenklaturës mbaheshin nga trafiku i krimit, i narkotikëve dhe i klandestinëve, po kërkohet të kthehen si një mundësi për financimin e yryshit të Edvinit për vitin 2013. Kartelet që mbanin ish-kryebashkiakun e Tiranës po kërkojnë hapësirat e dikurshme, por ky standard s’mund të zbatohet nga një mazhorancë që ka siguruar lëvizjen e lirë të shqiptarëve

“Skafet” një term i harruar, të paktën që nga koha e qeverisjes së këtij vendi nga qeverisja e Ilir Gjonit, është rikthyer sërish në ditët e fundit, së bashku edhe me ndjesinë apo ngarkesën negative që mbartnin, sigurisht në “bordin” e tyre, këto ish-mjete lundruese, që drejtoheshin nga trafikantët “skafistë”.
Për ironinë e fatit, si jo rastësisht është Ilir Gjoni (bashkë edhe me Artan Gaçin), deputetët socialistë, që me zhurmën e tij ëpr shuqizimin e ligjit të “Moratoriumit”, detyroi, jo më larg se dje, Kryeministrin Sali Berisha t’ia “vërë kufirin te thana”.
Në kuadrin e një aksioni të ri politike “për një rilindje shqiptare”, PS-ja në përgjithësi, por edhe Edi Rama në veçanti, mund t’ua “kishin varur këmborën për të tundur” kujtdo deputeti, për “lobim” për rikthimin e kohës së Ilir Gjonit (të parë), e njohur ndryshe edhe si koha e “republikës së skafeve”, por kurrsesi nuk duhet t’ia varte këtë këmborë Ilir Gjonit.
Me veprimin apo mosveprimin e tij, për kohën (2000- 2002) që Ilir Gjoni ishte ministër i Brendshëm (atëherë i Rendit Publik), nga përvoja e tij duhet ta dijë, se lundrimi i skafeve në det, saktësisht drejt brigjeve italiane, mbushur me klandestinë e droga të të gjitha llojeve, i bënin më shumë dëm imazhit të Shqipërisë dhe aspiratës së saj për integrim në strukturat ndërkombëtare, se sa, bie fjala mund ti bënin tanket që ai lëshoi në zonën e tij elektorale, diku andej nga Dibra, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2001.
Por sot, Ilir Gjoni (bashkë edhe me Artan Gaçin), deputetë të PS-së, pse jo edhe amplifikatorë të Edi Ramës, beson (për aq sa edhe harron) se historia e skafeve fillon me ndalimin e tyre në vitin 2005, me ndihmën edhe të ligjit të “Moratoriumit”. Me shumë gjasa, “halli më i madh” i Ilir Gjonit, tashmë nuk është heqja e Shqipërisë nga harta e trafiqeve ilegale “nëpërmjet detit”, por se, bie fjala, ndonjë skaf i mundshëm i Artan Gaçit, i cili nuk ka mundësi të lundrojë në ujërat detare kombëtare..., pse jo edhe ndërkombëtare.
E pra, ai Ilir Gjoni, i cili falë kontributit të tij, me veprimin apo mosveprimin e tij, për kohën që ishte drejtues politik dhe ekzekutiv i strukturave antitrafik, ka “meritën e madhe” që e futi Shqipërinë në listën e vendeve me imazh të rrënuar edhe për shkak të trafiqeve ilegale, tashmë po rreket ta rifusë sërish në “këtë klasifikim”.
Sikur të ishte vetëm çështja e imazhit, ishte gjysma e së keqes.
Por dukshëm, jo aq Ilir Gjoni (bashkë edhe me Artan Gaçin), gjetkë e ka hallin, hallin që tashmë ka një emërues të përbashkët me atë të Edi Ramës.
Tërheqja e opozitës ndaj ekonomisë informale dhe inkurajimi i botës së krimit ka marrë pamjen zyrtare të kërkesës për lejimin e skafeve në detet tona. E thënë ndryshe, kur prej rreth një viti edhe “burimi financiar” bashki, i është mbyllur Edi Ramësn, ai me gjithë të drejtën e tij (por vetëm të tij), duhet dhe po kërkon të tjera burime, në “shkretëtirën” antiskaf që qeveria ka ende si prioritet.
Kanë marrë fund kohët kur financat partiake të bijve të brezit të dytë të nomenklaturës mbaheshin nga trafiku i krimit, i narkotikëve dhe i klandestinëve, po kërkohet të kthehen si një mundësi për financimin e yryshit të Edvinit për vitin 2013.
Këtë Edi Rama, nuk po e kupton, por për të mirën e tij (dhe jo vetëm), sa më mirë dhe sa më shpejtë ta kuptojë këtë, aq më mirë është për atë (dhe jo vetëm).
Koha kur kartelet që mbanin ish-kryebashkiakun e Tiranës po kërkojnë hapësirat e dikurshme ka marrë fund. Ky standard s’mund të zbatohet nga një mazhorancë që ka siguruar lëvizjen e lirë të shqiptarëve, angazhim që e përmbushi edhe falë “Moratoriumit” të skafeve, jo vetëm si bllokim i lundrimit të disa mjeteve të rëndomta në det, por si bllokim i disa mjeteve shumë më të mëdha financiare që “qarkullonin” nëpërmjet detit, por me destinacion legjitimimin e nomenklaturës që mbahej nga trafiku i krimit, i narkotikëve dhe i klandestinëve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›