E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagojnë artistët për aferën e Vodafon me zyrtarët e MTKRS

Korrupsioni që ka përfshirë zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, tashmë duket qartë nga gllabërimi, që kompania Vodafon, prej muajsh i ka bërë sipërfaqes prej 440 metra katrorë, të Mozaikut në Muzeun Historik Kombëtar. Megjithëse u bënë muaj që flitet për këtë projekt restaurimi, Mozaiku vazhdon të jetë i mbërthyer nga skelat dhe baneri i kësaj kompanie celularësh.Kjo kompani përfiton miliona lekë në muaj nga sipërfaqja që ka pushtuar prej kohësh këtë Mozaik. Me një përllogaritje të thjesht, 1 metër katrorë në ditë është 200 mijë lekë që duhet të paguajë kompania, e llogaritur në 440 metër katrorë, afërsisht arrin në shumën rreth 88 milionë lekë në muaj. Drejtori i DRKK, Arbër Kadia, i cili pretendon se gjithçka është bërë konform rregullave, hesht përpara fakteve të bërë publike nga gazeta SOT, ku së bashku me personalitete të artit shqiptar kërkohet ti jepet fund korrupsionit dhe Mozaiku të çlirohet. Por duket se do të jetë e vështirë, pasi në këtë projekt është përfshirë dhe një person i afërt i kryeministrit. Përballë korrupsionit, që ka përfshirë zyrtarët e MTKRS dhe të afërmin e kreut të qeverisë, qëndrojnë faktet abuzive. Fshehja e kontratës nga Ministria e Kulturës, e thellon dhe më tepër këtë skandal, i cili shkel vlerat kombëtare. Të përlyer të tërë zyrtarë dhe persona të afërm me kryeministrin, ligji shkelet me të dyja këmbët. Ecuria e punës në mozaikun e fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, duket që është ende në fazën e diagnostifikimit. Kjo reklamë që i vlen aq shumë kësaj kompanie, nga ana tjetër sigurisht që do të çojë dhe në zvarritjen e punimeve për rikonstruksionin e mozaikut. Në një situatë të tillë këto punime që po kryhen në këtë mozaik, ndoshta qëllimisht nuk mund të mbyllen për disa muaj dhe sigurisht që bëhet për interesa reklame. Në krye të saj qëndron një shënim i kompanisë celulare: Vodafon me krenari mbështet restaurimin e fasadës së Muzeut Kombëtar, në përkujdesje për të ardhmen. Më poshtë vazhdohet me sloganin e kompanisë celulare Power to you, e më poshtë me germa të mëdha Vodafon. Në fakt, kjo reklamë në mënyrë të qartë në të gjithë sipërfaqen e saj prej 440 metra katrorë shpreh arrogancën e kësaj kompanie, e cila në mënyrën më të paturpshme sfidon kulturën shqiptare duke vendosur një copë leckë e cila shpreh fuqinë e saj korruptuese përballë një shteti të kalbur dhe të korruptuar që është gati të bëjë kompromis me vlerat nacionale në këmbim të disa mijëra dollarëve të dhuruara nga kompania celulare.

MTKRS fsheh kontratën
Transparenca e munguar bënë që zyrtarët e MTKRS, të fshehin kontratën e firmosur mes tyre dhe kompanisë Vodafon. Drejtori i DRKK, Arbër Kadia, ka disa ditë që nën petkat e drejtorit përpiqet me të gjitha mënyrat që të fsheh këtë kontratë, e cila tregon abuzimet që bëhen ndaj kësaj vepre arti, njëkohësisht dhe Monument Kulture, e cila mbrohet me ligj ndaj çdo abuzimi. I kontaktuar nga gazeta SOT, ai anashkaloi përgjigjen drejtpërsëdrejti me këtë çështje, duke u justifikuar se nuk ka ardhur kërkesa zyrtare nga gazeta, për tu njohur me kontratën, megjithëse ajo i ka shkuar dhe është pranuar para disa ditësh nga Ministria e Kulturës, vartës i së cilës është edhe Arbër Kadia. Ky i fundit, me të gjithë këtë që po ndodh, duket se është përgjegjësi kryesor për aferat korruptive me kompaninë celulare Vodafon, e cila gjithmonë dhe më shumë po e zgjeron biznesin e saj fitimprurës në kurriz të këtij Mozaiku, për të cilin qytetarët presin që ai ti kthehet atyre. Skandali me këtë projekt në Mozaikun e Muzeut Kombëtar, ku kompania celulare Vodafon shpenzon vetëm 40 milionë lekë për restaurimin dhe fiton rreth 1 miliard lekë, tashmë është i dukshëm për të gjithë, pasi vetëm me një përllogaritje të thjeshtë arrin që të kuptosh se sa bamirëse është kjo kompani celulare, që prej javësh ka mbërthyer Mozaikun. Ndërkohë që para këtij skandali, personalitet e artit kanë reaguar njëzëri në lidhje me përfitimet qindra-milionëshe nga ana e zyrtarëve të MTKRS, nëpërmjet projektit të restaurimit të Mozaikut, nga kompania Vodafon.

Anastas Kostandini: MTKRS vlerëson Vodafon si kulturën e vetme të Shqipërisë
Piktori i Merituar, Anastas Kostandini njëkohësisht dhe njëri prej autorëve të Mozaikut, ka pohuar se kjo që po ndodh me Mozaikun në Muzeun Historik Kombëtar është e turpshme, dhe nuk është se çfarë po ndodh me këtë mozaik, pasi nuk është njoftuar nga MTKRS për asgjë. Nuk po e kuptoj këtë që po ndodh këto ditë. Mozaiku kur u montua në atë kohë, ai u montua nga një person i vetëm ndërsa sot nuk po merret vesh se çfarë po bëhet. E gjitha kjo që po ndodh për mua nuk është aspak serioze, pasi edhe autorët e realizmit të tij sigurisht që duhet të ishin pyetur, pasi ne nuk jemi të huaj. Kemi qenë disa autorë që kemi realizuar atë Mozaik, i cili sot qëndron në Muzeun Historik Kombëtar. Ministria e Kulturës, për mua nuk është më një ministri e tillë, dhe unë për këtë flas si qytetar pasi nuk përfaqësoj asnjë lloj politike. MTKRS po sillet sikur kompania celulare Vodafon është kultura e vetme e gjithë Shqipërisë, ndërkaq që është tjetër kultura kombëtare, është shprehur autori i kësaj vepre arti.

Zef Shoshi: Mozaiku të çlirohet nga imazhi i Vodafon
Për njeriun, i cili ka dhënë një kontribut të çmuar në artin shqiptar, piktori Zef Shoshi zvarritja e këtyre punimeve mund të jetë dhe për qëllime përfitimi në biznes. Duke kërkuar që të mos zvarriten më punimet, piktori Zef Shoshi pohon se në vendin tonë ka shumë specialistë të zotë, të cilët duhet të ishin pjesë e këtij projekti. Mozaiku në Muzeun Historik Kombëtar ka shumë rëndësi për publikun dhe për kombin shqiptar. Kjo është një vepër madhore dhe është më i madhi në Ballkan. Nuk e di se çpo bëhet, por unë si artist kërkoj që të mbahet një qëndrim i drejtë ndaj kësaj vepre arti dhe të mos abuzohet me fonde. Mos të abuzohet me dëshira fitimesh nga firma të ndryshme, por të shikohet më me dinjitet kjo që po bëhet ndaj kësaj vepre arti. Ne kemi specialistë shumë të mirë, të cilët mund të japin një kontribut të madh në restaurimin e kësaj vepre arti dhe nuk kemi pse të marrim dhe të huaj. Edhe unë bashkohem me të gjithë artistët e tjerë, të cilët kërkojnë që kjo vepër arti të çlirohet nga imazhi i asaj kompanie. Kjo që po ndodh sot me Mozaikun, është një fatkeqësi e madhe për ne. Nuk mund të lozë kompania Vodafon me këtë vepër arti, për të përfituar vetë. Për fat të keq fitimi në biznes ka hyrë në mënyrë marramendëse në qarqet drejtuese, dhe kjo është një fatkeqësi për kombin tonë, pohon piktori i njohur Zef Shoshi.

Gazmend Leka: Me Mozaikun, një punë joprofesionale
Piktori i njohur Gazmend Leka, pohon se duhet të kishte të dhëna më të sakta rreth projektit në Mozaik. Sipas piktorit Ministri i Kulturës mund ta rishikojë projektin, në mënyrë që të nisë sa më shpjet ky restaurim. Ka vite që ai Mozaik është realizuar dhe dalëngadalë ai edhe mund të dëmtohet. Por kjo nuk mund të bëjë pjesë tek puna lavdëruese e shtetit, sepse shteti e ka për detyrë ti mirëmbajë ato vepra që bëjnë pjesë në fondin e kulturës kombëtare. Nëse mungon një tabelë informuese, për mua kjo është një punë e dobët profesionale, sepse për atë vepër nuk përgjigjen vetëm ata që merren me këtë projekt, por ajo është një vepër e të gjithë shqiptarëve dhe njerëzit duan të dinë, të informohen, dhe sot ka mjete të shumta informimi. Për mua një vend qendror ashtu si ndodhet dhe Mozaiku në MHK është e padrejtë që të mbulohet me afishen e një kompanie. Nëse mund të shfrytëzoheshin të gjithë eksperiencat e botës, pasi tashmë njerëzve nuk mund ti hedhësh më hi syve, një fasadë e cila do të restaurohet një nga gjërat më të thjeshta është fotografimi dhe nxjerrja e printuar e veprës në sipërfaqen në të cilën mbulohen skelat dhe të gjithë njerëzit që kalojnë shikojnë që po bëhet një restaurim, pohon piktori i njohur Gazmend Leka.

Ermir Grezda: Vodafon, një krim ndaj Mozaikut
Në vijim të emrave të artit, të cilët kërkojnë që kjo vepër arti të kthehet sa më pranë qytetarëve, flet dhe skulptori dhe piktori i njohur Ermir Grezda. Ministria

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›