Reagojnë bashkë
Kuvendi e ka obliguar të enjten Qeverinë që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës.
Me një rezolutë katërpikëshe, deputetët janë deklaruar kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe e kanë cilësuar vendimin e Serbisë si antieuropian e që nuk i shërben fqinjësisë së mirë.
“Konkludojmë se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë dhe obligohet qeveria të realizojë këtë vendim”, thuhet në pikën 2 të rezolutës.
Pro rezolutës kanë votuar të gjithë deputetët e pranishëm në punimet e seancës.
“Konstatojë me 76 për, asnjë kundër, asnjë abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën që kundërshton zgjedhjet serbe në Kosovë”, ka lexuar rezultatin udhëheqësi i seancës Xhavit Haliti.
Sipas rezolutës, e cila është përkrahur nga të gjitha grupet parlamentare, vendimin e Kuvendit të Serbisë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe edhe në Kosovë si shkelje të sovranitetit dhe cenim të marrëdhënieve ndërshtetërore
Para se të votohet rezoluta, deputeti Sabri Hamiti ka komentuar deklaratat e zyrtarëve të qeverisë. Ai i ka dhënë komplimente Kryeministrit, ndërsa ka pasur vërejtje për deklaratat e Hajredin Kuçit.
“Zëvendëskryeministrit Kuçi, i cili e lakon gjuhën në mënyrë figurative dukagjinçe edhe thotë s`do të rrimë duarkryq. Po të vazhdoja me këtë interpretim do të thosha se nëse s`janë duart kryq, i bie s`bën kurxha”, ka thënë Hamiti.
Ka reaguar Kuçi, duke e shpjeguar duarkryqin.
“Pasi hyni në logjikën e Dukagjinit, ju jeni dhëndër i Dukagjinit, por nuk t`i kanë treguar krejt dhe kur rrimë duarkryq, nënkupton ose e mbron vetën ose i sjell dikujna”.
Përpos debatit për zgjedhjet serbe, në Kuvend pozita dhe opozita janë përplasur edhe për dialogun.
Ismet Beqiri ka thënë se Edita Tahiri nuk po raporton në Kuvend për dialog dhe po bën “shuttle diplomacy” në dëm të Kosovës.
Ka ardhur përgjigja e Tahirit, e cila ka thënë se raportimet për dialogun me Serbinë ka pasur vazhdimisht, ndërsa ka ironizuar me deklaratat e Ismet Beqirit, duke i thënë se paska mësuar diçka nga gjuha angleze dhe ajo diplomatike.
Beqiri ka tentuar të replikojë, por nuk është lejuar nga udhëheqësi i seancës.
Pas kësaj, LDK ka kërkuar pauzë për të vazhduar përsëri të komentojë fjalët e kryenegociatores Edita Tahiri.
“Është skandal i llojit të vet kjo që e bëri zonja me anglishten e fortë të saj. S’kishte asgjë personale. Unë kam kërkuar fjalën në emër të Grupit Parlamentar. Kjo ka fyer një grup të madh elektoral, 27 deputetë të Kuvendit. Pse dikush as votat e katundit të vet nuk i merr, është problem i saj. Kërkojmë të respektohen deputetët që janë këtu”, ka thënë Beqiri.
Me Edita Tahirin është marrë edhe deputetja e LDK’së, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se Zëvendëskryeministrja në vazhdimësi po e dëmton Kosovën. I ka rekomanduar Tahirit që kur të lëshojë Kosovën edhe një herë, mos të kthehet më.
Pyetje për zyrtaren e qeverisë ka pasur edhe Donika Kadaj, e cila ka kërkuar të sqarohet se sa mjete janë shpenzuar në vizitën e Edita Tahirit në Shqipëri.
“Kjo periudhë i kushtoi Serbisë me njohjen de facto të shtetit të pavarur të Kosovës. Sa i takon vizitës në Tiranë, unë kam shkuar në vizitë zyrtare”, ka thënë Tahiri.
Ndryshe, Kuvendi i ka vazhduar punimet, duke i votuar disa projektligje, ndërsa në mungesë të kuorumit është ndërprerë debati për Raportin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji
Thaçi rreth bashkimit kombëtar
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se me ndryshimin e kufijve në Ballkan, shqiptarët më së miri dhe më së lehti do të jetonin në një shtet të vetëm.
Në këtë mënyrë ai ka treguar qëndrimin e Qeverisë kundër ndryshimit të kufijve, pasi sipas tij, do të kishte pasoja për tërë rajonin.
Ai ka thënë se ka folur edhe me ndërkombëtarë dhe u ka treguar se është kundër ndryshimit të kufijve.
“Edhe sa i përket pretendimeve për ndryshime të kufijve, u kam bërë të qartë gjithë miqve ndërkombëtarë, se me pretendimet e tilla shqiptarët më së miri do të mund të jetojnë në një shtet të vetëm”, ka deklaruar ai.