E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagojnë mjekët: Situata epidemiologjike nën kontroll

Pas shprehjeve të kreut të shëndetësisë në vend, Anila Godos lidhur me vaksinimin e fëmijëve ku pohoi se, më shumë se 10% e fëmijëve janë të pavaksionuar reaguan menjëherë mjekët epidemiologjik. Sipas tyre, situata epidemiologjike në vend gjatë viteve të fundit është mbajtur nën kontroll, duke mos patur asnjë shpërthim epidemie. "Edhe në rastet e ndonjë vatre sporadike, janë marrë të gjitha masat për izolimin e saj, duke mbajtur nën kontroll të plotë situatën", thanë burime nga Ministria e Shëndetësisë. Për të pasur kontroll të plotë të situatës është punuar mjaft në drejtim të programeve të parandalimit të sëmundjeve, në veçanti kryerjes së plotë të vaksinimeve masive, sigurimit me vaksina dhe imunizimit me vaksina të detyrueshme, të mbajtur respektivisht në nivelet 100% dhe mbi 95%, u shprehën të njëjtat burime. I rëndësishëm ka qenë orientimi drejt  programeve kombëtare për sëmundje kronike të tilla si tumoret, sëmundjet e  zemrës, AIDS, traumat, etj. "Ndërkohë, në kuadër të përmirësimit  të legjislacionit, ligji i shëndetit  publik, tashmë i përfunduar, si dhe aktet  nënligjore që rrjedhin prej tij, shërbejnë si një hap më tej në modelimin e strukturave dhe aktiviteteve të shëndetit publik sipas strukturave të reja dhe profilit të sëmundjeve që kërcënojnë shëndetin e popullatës", vunë në dukje burimet nga MSH. Ndërkohë, Strategjia e re e vaksinimit, e aprovuar këtë vit, do të zbatohet në praktikë, duke fuqizuar strukturat e programit kombëtar të vaksinimit, rritjen e mbulesës vaksinale në grupet e margjinalizuara (përfshirë romët, zonat infomale dhe fshatrat e thella), si dhe krijimin e terrenit për futjen e antigjeneve të rinj si rotaviruset, pneumokoku apo mbështetja e vaksinimit kundrejt gripit në grupe të caktuara të popullatës. Të dhënat tregojnë se deri tani nuk ka pasur raste me poliomielit dhe fruth, ndërsa në raste të rralla dhe sporadike flitet për rubeolën, difterinë dhe tetanozin. Gjithashtu, është ulur Seropozitiviteti i hepatit B tek fëmijët nën 1 vjeç. Sipas MSH, u  punua  për përgatitjen e personelit  dhe nënave për kalimin e vaksinimit me pentavaksinë, si  dhe  në drejtim të promocionit  shëndetësor,  kontrollit të  ujit të pijshëm, të ajrit, etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›