Sarandë, dyshohet si trafikant klandestinësh, në kërkim 37 vjeçari
Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Sarandë ka shpallur në kërkim një 37-vjeçar, i cili dyshohet se ka trafikuar ilegalisht drejt Greqisë tri shtetas. Sipas burimeve të policisë, dy ditë më parë nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 37-vjeçarin Afrim Emini, banues në Konispol të Sarandës, pasi të mërkurën rreth orës 13:15 u gjet një makinë tip Benz me targë SR 5864 B në aksin rrugor Qafë Botë-Butrint, në vendin e quajtur Manastiri.
Dyshohet se me këtë mjet Afrim Emini ka transportuar drejt Greqisë në mënyrë të jashtëligjshme 3 persona. Sipas burimeve nga Policia, klandestinët që kaluan ilegalisht kufirin shqiptar me Greqinë, ishin nga Durrësi dhe Tirana. Sipas dëshmive të familjarëve, ata kishin paguar nga 1500 euro secili për të shkelur në tokën helene.