Temperaturat e larta, mjekët këshillojnë për një kujdes të veçantë
Konsumoni sa më shumë lëngje, fruta dhe zarzavate, por tregoni edhe kujdes të veçantë për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna e të sëmurët kronikë në kushtet e temperaturave të larta. Këshillat vijnë nga specialistët e shëndetit publik në kuadër të Muajit të Sensibilizimit për Mbrojtjen nga të Nxehtit. Në kushtet e temperaturave të larta, mjekët këshillojnë konsumimin e deri 2 litrave ujë në ditë dhe jo pije alkoolike. "Evitoni lëvizjet dhe aktivitetet fizike intensive nga ora 11.00 deri në orën 16.00", thonë mjekët, sipas të cilëve fëmijët dhe të moshuarit janë mosha që duhet të tregojë më tepër kujdes.
Fëmijët reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj temperaturave të larta, pasi sistemi imunitar apo mbrojtës i tij, nuk është zhvilluar tërësisht. Temperaturat e larta apo vapa, kanë një ndikim shumë negativ në organizmin e fëmijës dhe kjo është e theksuar, sidomos tek moshat e vogla 1-4 vjeç. Ndërsa tek të moshuarit, moti i nxehtë shkakton probleme shëndetësore si pasojë e ndryshimit të sistemit të çrregullimit të temperaturës trupore. Të moshuarit shpesh nuk janë në gjendje të kuptojnë domosdoshmërinë e mbrojtjes nga të nxehtit, ndaj mund të paraqesin probleme dhe kërkojnë një kujdes më të veçantë kur dihet se edhe forcat mbrojtëse të tyre janë të ulura. Ata mund të goditen nga nxehtësia, nga dielli apo të rëndohen sëmundjet kronike. Ndërkohë, mjekët këshillojnë edhe personat e moshës alternative (as të moshuar, as fëmijë) që të kenë kujdes nga temperaturat e larta dhe ekspozimi në diell, të cilët mund të shkaktojnë probleme të rëndësishme dhe ndonjëherë mjaft të mprehta shëndetësore, siç janë hipertermia malinj (rritja e shpejtë dhe shumë e lartë e temperaturës së trupit), goditja nga dielli, humbja e madhe e lëngjeve dhe kripërave të trupit me anë të djersës, si dhe djegiet e lëkurës akute dhe kronike. Njerëzit mund të ekspozohen ndaj këtyre elementëve klimaterikë si gjatë kohës së punës, ashtu edhe kur janë duke pushuar (psh. në plazh). Ndaj për të gjithë ata që shkojnë me pushime në det apo në mal, mjekët këshillojnë "qëndroni në hije në orët e pikut të diellit, ndërsa duhet të përdorni kapelet, syzet e errëta të diellit për mbrojtjen e kokës dhe syve". Sipas mjekëve, ekspozimi në diell duhet bërë gradualisht dhe jo menjëherë. Përdorimi i kremrave mbrojtës për mbrojtjen nga rrezet UV-a dhe UV-b, sipas fototipit të lëkurës dhe intensitetit te rezeve ultraviolet, është i domosdoshëm në këto ditë. Ndërsa, kremrat mbrojtëse duhen aplikuar 15 -20 minuta para daljes në diell; pas larjes, pas fshirjes me peshqir, si dhe djersitjes. Reduktimi i sforcove fizike në orët më të nxehta të ditës dhe mbajtja e kapeles apo çadrës, në raste të daljes në rrugë, mbajtja e rrobave të gjëra, të lehta, me ngjyra të çelura (mundësisht prej pambuku) janë të tjera këshilla që japin mjekët. Ndërsa, disa nga masat që duhen të merren për parandalimin e infeksioneve dhe virozave janë konsumimi i ujit të sigurt (të blerë ose të zier nga çezma, kur nuk jemi të sigurt për cilësinë e tij), larja e vazhdueshme e duarve, ruajta e ushqimeve në frigorifer apo në vende të freskëta, konsumim i freskët i ushqimeve sidomos atyre me përmbajtje bulmetrash, vezësh, mishi (qumështi, vezët, akulloret, majoneza, mishi i pulës, peshku i freskët, etj).