Reagon Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare: Top Channel po përdoret për prerje gjobash – Vila në Vlorë nuk është rezidencë e Kryeministrit
Zëdhënësi i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare sqaron opinionin publik: Trillim i ulët, rezidenca është shtëpi pritje për personalitete të larta të vendit dhe të huaja
“Dje, televizioni "Top Channel", transmetoi në edicionin e tij të lajmeve një montim lidhur me një residencë qeveritare në Vlorë, të cilën e paraqiti, duke shpifur, si rezidencë të Kryeministrit Berisha. Lidhur me këtë kronikë, zëdhënësi i Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare sqaron opinionin publik sa vijon: Vila në Vlorë, e paraqitur në kronikën e televizionit Top Channel, është rezidencë qeveritare, shtëpi pritje për personalitete të larta të vendit dhe të huaja, miq të shquar të Shqipërisë.
Pretendimi i televizionit Top Channel se Vila Qeveritare në Vlorë është rezidencë e Kryeministrit është një trillim i ulët, i denjë për çakej dhe gjobvënës, që përdorin median për prerje gjobash dhe qëllime të tjera të kundërta me misionin e tyre.
Me këtë rast i kujtojmë opinionit publik se gazetarët gjobë-prerës të këtij televizioni, që shpallin shtëpinë e pritjes në Vlorë si rezidencë të Kryeministrit Berisha, janë po ata që montuan në zyrat e Edi Ramës videon e 21 janarit dhe që servirën shumë herë si veturë të Kryeministrit, makinën Mercedes të blerë nga kjo Drejtori për transportin e kryetarëve të shteteve, kryeministrave dhe kryetarëve të Parlamenteve të vendeve mike, që vizitojnë Shqipërinë dhe që nuk është përdorur asnjëherë nga Kryeministri apo personalitete të tjera të vendit.
...