E Diel, 1 Nëntor 2026

Fule: Kosova kryekusht për Serbinë. Nikoliç: Bisedime në nivel më të lartë

Kosovë- Përparimi i marrëdhënieve më Kosovën do të jetë kryekusht për vazhdimësinë e negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian, ka deklaruar sot kryekomisioneri për Zgjerimin Stefan Fule.

Në një intervitë për portalin EurAktiv, Fule u shpreh i bindur se negociatat për integrimin në BE do të jenë prioritet i qeverisë së re të Serbisë, ndërkohë që e konsideroi një gabim të madh, ndaljen e procesit të integrimit.

Ai shfaqi bindjen se Serbia do të shënojë përparim në marrëdhëniet me Kosovën dhe e quajti problem fondamental i cili qëndron në rrugën e hapjes së negociatave, transmetojnë mediet e Beogradit.

Fule rikujtoi një varg detyrash që duhet të përmbush Serbia, të shtruara nga Këshilli i Europës qysh në dhjetor të vitit 2011. Në konkluzionet e dhjetorit të Këshillit theksohet se Serbia duhet të vazhdojë dialogun dhe të arrijë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që të marrë datën e fillimit të negociatave.

Po sot presidenti serb Tomislav Nikoliç deklaroi se Beogradi dhe Prishtina do t`i çojnë bisedimet në një nivel më të lartë, raportoi B92. Ai tha se grupi negociator serb do të marr përsipër të gjitha përgjegjësitë për zgjidhje të mëtejshme të situtës në Kosovë dhe Metohi.

Deklarata erdhi në takimin e Nikoliç me ambasadorin austriak Koja, i cili vlerësoi gadishmërinë e Beogradit për bisedime më Kosovën.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›