E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon FMN: Do qëndromë nëse na e kërkon qeveria

 

fabiola Çela

Nëse qeveria shqiptare është e interesuar që të vazhdojë me FMN-në programe të tjera, atëherë kjo e fundit do të qëndrojë. Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Ann Margaret Westin, ka shpjeguar programin që kanë patur me qeverinë shqiptare dhe se si do të jenë marrëdhëniet e ardhshme të FMN-së me palën shqiptare. Sipas saj, i takon qeverisë shqiptare që të përzgjedhë një marrëveshje me anë të së cilës FMN-ja të kryejë një kontroll të imtësishëm të financave apo jo. Por gjithsesi, edhe nëse qeveria nuk i kërkon Fondit vazhdimin e një programi të tillë, kjo nuk do të thotë se FMN-ja nuk do të monitorojë financat shqiptare.
Deklarata
Në janar të 2009-ës, programi aktual 3-vjeçar i FMN-së me qeverinë e Shqipërisë, i mbështetur nga marrëveshjet e kombinuara PRGF (Fondi i Reduktimit të Varfërisë dhe Rritjes Ekonomike) dhe EFF (Fondi i Zgjeruar) do të përfundojë, duke supozuar se rishikimi i gjashtë dhe i fundit do të përfundohet në kohë. Programi aktual është i gjashti që Shqipëria ka me FMN-në, si dhe i katërti afatgjatë. Që në fillim të tij, pritej që ky do të ishte programi i fundit PRGF me Shqipërinë, i cili është konceptuar për vendet më të varfra. Nëse autoritetet shqiptare janë të interesuara, FMN-ja është gati për të diskutuar të tjera tipe programesh që mund të vazhdojnë kur programi aktual të mbarojë. Një program i tillë do të përqendrohej përsëri në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, por do të përmbante më pak kushte për reformat strukturore dhe mund të përmbajnë ose jo akses për financime nga Fondi. Të tilla marrëveshje mund, për shembull, të kenë formën e një marrëveshjeje të rregullt ose paraprake të gatishmërisë. Si për të gjitha vendet me të cilat ne punojmë, një kërkesë për një tjetër marrëveshje vjen nga autoritetet. Kjo mund të diskutohet më tej me qeverinë gjatë mbledhjeve të ardhshme vjetore në Uashington në mes të tetorit, si dhe gjatë misionit të fundit të rishikimit në Tiranë në fillim të nëntorit. Së fundmi, vlen për të vërejtur se ka apo nuk ka një program me FMN-në, një vend anëtar, përsëri ka akses në asistencën teknike të FMN-së dhe ne përsëri do të ndërmarrim konsultimet e Artikullit IV, ç'ka ne e bëjmë me të gjitha vendet anëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›