E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çmimi i dritave nuk ndryshon në 2009”

 

Çmimi i dritave nuk do të rritet në 2009-ën. Por pas këtij viti, për një periudhë 5-vjeçare do të vazhdohet me ritmin normal të rritjes së çmimit deri sa ai të barazohet me koston. Kështu është shprehur dje kreu i Ministrisë së Energjetikës, Genc Ruli. Vetëm pak ditë para hapjes së ofertave për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ministri Ruli ka shpjeguar në detaje të gjithë ecurinë e privatizimit të këtij sektori.
Privatizimi i OSSH-së është kërkuar me ngulm nga ndërkombëtarët. Me privatizimin e këtij operatori pritet të rritet ndjeshëm cilësia e furnizimit me energji për konsumatorët si dhe të përfundojë një herë e mirë faturimi aforfe. Por privatizimi i OSSH-së është cilësuar nga ekspertët si një ndër proceset më komplekse. Gjatë deklaratës së tij, ministri ka shpjeguar edhe modelin e tregut që është zgjedhur dhe se çfarë roli do të ketë sektori publik pas privatizimit. Sipas tij, qeveria ka marrë në konsideratë disa faktorë, si varësinë e sistemit tonë energjetik nga kushtet hidrologjike, avantazhet në kosto që ka sistemi ynë i prodhimit të energjisë nga HEC-et, humbjet e mëdha teknike dhe joteknike në shpërndarje si dhe nevoja për të pasur një politikë çmimesh që i përgjigjet zhvillimeve ekonomike dhe sociale të vendit tonë. Sipas Rulit, për të optimizuar faktorët e mësipërm, u vendos që të mbahet përsipër risku hidrologjik dhe avantazhet e prodhimit hidro, duke garantuar kështu të gjithë energjinë e nevojshme për furnizim të konsumatorëve, kryesisht nëpërmjet prodhimit vendas dhe pjesën tjetër me import, me çmim të rregulluar. Kështu i kalohet investitorit risku i përmirësimit teknik dhe organizativ nëpërmjet kalimit të përgjegjësisë së reduktimit të humbjeve teknike e joteknike dhe përmirësimit të arkëtimeve, duke i kaluar kështu përgjegjësinë për të realizuar pjesën më të madhe të importit për blerjen e energjisë që humbet në rrjet. "ERE ka përgjegjësinë dhe rolin që të garantojë implementimin e politikave të çmimeve që i përgjigjet zhvillimeve ekonomike dhe sociale të vendit tonë, duke monitoruar operatorët në treg përsa i përket performancave të tyre teknike dhe financiare", ka theksuar ministri. Tenderi për privatizimin e 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes është përcaktuar të zhvillohet ditën e hënë më 29 shtator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›