Berisha zotohet për proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor
Kryeministri Berisha është zotuar dje se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë objektivi i tij parësor. “Së pari, dua të zotohem me solemnitet dhe seriozitetin më të madh para shqiptarëve se për Sali Berishën objektivi i parë më absolut do të jetë një proces zgjedhor i lirë dhe i ndershëm. Kjo qeveri do të bëjë çdo përpjekje që shqiptarët të votojnë në një proces të denjë për moralin e tyre qytetar, të votojnë si të gjithë qytetarë europianë”, - është shprehur Berisha. Ai vuri në dukje se qeveria ka bërë investime për të pasur një infrastrukturë zgjedhore nga më modernet. “Qeveria u bën thirrje të gjithë qytetarëve, institucioneve publike dhe private në vend që të japin kontributin e tyre për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. Është jetike për ligjin, për moralin, për fytyrën e këtij vendi që të tregojmë të gjithë përkushtimin tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, - është shprehur Berisha. I pyetur se si do të veprohet me personat që nuk do të mund të pajisen me karta identiteti, Berisha tha se ata do të marrin pjesë në zgjedhje me pasaporta dhe me letërnjoftimet e vjetra. Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha përshëndeti përfundimin e procesit të ratifikimit të MSA-së nga 27 vendet anëtare të BE-së, por ai nuk dha asnjë datë se kur Shqipëria do të bëjë kërkesën për marrjen e statusit të kandidatit për anëtar në BE. Ai tha se shumë shpejt do të nisin negociatat me Presidencën çeke të BE-së. “Ju e dini që mua nuk më dëgjoni kurrë të citoj data dhe përqindje. Të gjitha datat dhe përqindjet i marr nga të tjerët dhe këtë e kam si rregull. Por është e vërtetë që ratifikimi është një avantazh shumë i madh, po ashtu është avantazh i madh edhe raporti, që është i qartë. Kështu që do të fillojmë negociatat me Presidencën çeke të Bashkimit Europian dhe do të diskutojmë më pas për kohën e paraqitjes së aplikimit. E kam deklaruar gjithmonë se do të bëjmë një proces sa më mirëkuptues”, - është shprehur Berisha.
17 Janar 2009