Ndalen punimet në godinën e ish-maternitetit
Inspektorati i Ndërtimit dhe Urbanistikës pranë Bashkisë së Beratit ka kërkuar ndërprerjen e punimeve në ndërtesën e ish-spitalit gjinekologjik të qytetit. Me mbështetjen e policisë bashkiake dhe asaj të rendit, inspektorët kanë mundur të nxjerrin nga ish-godina e maternitetit punëtorët që punojnë prej ditësh në godinë, e cila do të shndërrohet në universitet privat. Kryeinspektori Bardhyl Buba tha se punimet që po kryhen në godinën janë pa leje ndërtimi dhe për këtë është njoftuar edhe qeveria. Sipas Bubës, godina rezulton si pronë e Ministrisë së Shëndetësisë dhe investitori nuk ka paraqitur asnjë dokument që të vërtetojë pronësinë mbi këtë objekt. Ndërkaq, pronari i truallit, Jorgji Babasiko, shprehet se punimet kanë filluar për të kapur kohën për hapjen e universitetit, ndërkohë që po kryen procedurat e nevojshme për pajisjen me leje ndërtimore, pasi objekti, sipas tij, do të tjetërsohet tashmë në një universitet privat.
M.H.
M.H.