E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/ Të gjithë një jemi - të festojmë së bashku 28 nëntorin

Marshimi i gjatë drejt lirisë, sfidoi kalvarin e vuajtjes vrastare si pasthirrmë e ëndrrës mbi lirinë, sepse vrasja e saj dhemb shumë më shumë se sa vrasja e vet lirisë. Mbase ëndrra për lirinë është më e ëmbël dhe ndoshta më e bukur se sa liria vetë.
E ne festuam, e ne uruam: Urime 28 Nëntori! Me fat!
Ëndrra e asaj dite, ëndrra e 28 Nëntorit të 1912-tës, sikur u vra ende pa lindur, u vra që në hapin e parë të udhës së vetë, u vra si gëzimi dhe buzëqeshja e fëmijës në përqafimin përgëzues të së ëmës, u vra në gjysmën e vetë, në gjysmën e tokës edhe për të cilën ishte lindur. Idealet e mëdha u shkelën rëndë, u nëpërkëmben dhe pas padrejtësisë mëkatare, motivimi për ëndrrën dhe besimin gati sa nuk u shndrrua në zhgënjim të përgjithshëm të sharjes qortuese. Por, prapë të gjithë njëri-tjetrin uruam. Ndoshta loti i mallit ndonjëherë
na rrodhi, na zuri të shkujdesur, duke festuar. Na mashtroi. Dhe, ne prapë festuam. Nuk u dorëzuam. Festës për çudi i dhamë emër tjetër. E pagëzuam: Dita e Flamurit. E vazhduam të festojmë, duke fshehur ngjyrat e flamurit, herë në kordelet e vashave e herë nëpër shallet që i bënim për çunat, të vendosur që në tokën tonë të përgjysmuar të vazhdojmë
ëndrrën tonë për shtet të përbashkët, në kërkim të vazhdueshëm të lirisë dhe drejtës së plotë e me besimin e patundur, në ditën e agimeve të mëdha. Vazhduam e uruam njëri tjetrin edhe atëherë kur na thanë dhe detyruan të ikim atje në skajin tjetër, në rrugën e pakthim, atje ku ''...Qielli puthet me dhenë...'' vazhduam dhe besuam në liri, tokë e atdhe edhe atëherë kur na nxorën me krye ndër dhe ...''jaban dhe beter...''.
E ne nuk harruam të urojmë: Me fat dita e Flamurit! Urime 28 Nëntori! Edhe në atë motin e madh e të përgjakshëm shpresa na mbante. Ecnim drejt edhe kur thuhej se: Drenica është bërë zonë e lirë, Llapi po vritet e Prishtina me Mitrovicë po zbrazën. Ecnim drejt rrugës së lirisë, për çdo ditë duke e mbytur ngapak vdekjen. Edhe atëherë, prapë festuam. Paj edhe kur e shihnim se të vdekur jemi, drejt vdekjes, prapë duke uruar shkonim, pa na udridhur buza uronim njëri tjetrin .Të patrembur ecnim drejt mijëvjeçarit të ri, se nuk u ndalem para asnjë vështirësie dhe se nuk u frikësuam nga vdekja që po e vriste vdekjen. E ne, prapë të gjithë së bashku festuam dhe uruam. Me fat 28 Nëntori!
Nga gjithë ky rreth vrastar ne dolëm të pamposhtur. Dolëm fitimtarë. E sot të gjithë ne, të bashkuar të ndertojmë lirinë si koncept dhe alfabet të shpirtit tonë të lirë. Ta shtrijmë atë në gjithë hapësirat e lirisë njerëzore dhe ta vëjmë atë në shërbim të njeriut shqiptar.
Të nderojmë dhe respektojmë vlerat e lirisë. Mos t'i harrojmë për asnjë çast të vdekurit dhe të gjallët e ëndrrës së madhe. Mos t'i harrojmë se pastaj do na harroj historia. Të bashkuar të ecim drejt qëllimeve dhe bashkimeve njerëzore. Ta bëjmë këtë ditë Festën tonë të madhe ku gjithë shqiptarët urojnë njëri-tjetrin. Sot, edhe me Kosovën shtet sovran dhe të pavarur të festojmë edhe më të bashkuar.
Jemi një dhe të pandarë, kudo që jemi, të festojmë së bashku, të urojmë nga zemra njëri tjetrin:
Me fat dita e Flamurit! Me fat 28 Nëntorin!
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›