Presidenti Klaus sulmon BE-në, në prag të marrjes së presidencës nga Çekia

Pas pak javësh Çekia do të marrë presidencën e BE-së. Pas deklaratave të tij të polemizuara kundër BE-së, presidenti çek Vaclav Klaus përballet në vendit e tij me kritikë të ashpër. Për një kohë të gjatë ai konsiderohej si një nga politikanët me më shumë popullaritet të Çekisë por tani duket se e ka mbushur kupën: gazetat çeke e kritikojnë presidentin Vaclav Klaus prej ditësh në një formë krejt të panjohur. Sipas një sondazhi gjysma e çekëve janë të mendimit se presidenti dëmton vendin e tij me deklaratat e tij të kontestuara si ato kohët e fundit në Irlandë, ku ishte shprehur: "Unë jam një disident i BE-së". Por Klaus nuk pranon të ndryshojë dhe planifikon shfaqjen e tij të ardhshme të madhe. Klaus kundër marrëveshjes së Lisbonës/Koha dhe vendi tashmë janë përcaktuar: të martën në rrugën Jostova në Brünn. Atje gjykata kushtetuese e Çekisë do të mbajë një seancë dëgjimore mbi temën më të dashur të Vaclav Klausit, marrëveshjen e Lisbonës. Presidenti çek kishte kërkuar me qëllim shtyrjen e seancës pasi dëshëron të marrë pjesë me çdo kusht në të. Nuk ka dyshim se edhe njëherë ai do të bëjë publik gjithë kundërshtimin e tij ndaj marrëveshjes. Por nëse deri tani mund të ishte i sigurtë se shumë çekë ishin po aq skeptikë sa ai, në rrugë dhe në disa redaksi gazetash të mëdha, duket se atmosfera ka ndryshuar. Ratifikimin e marrëveshjes së Lisbonës e do edhe qeveria çeke nën drejtimin e kryeministrit Mirek Topolanek, i cili vjen nga e njëjta parti e Klausit. Por presidenti çek, edhe pse është në qëndrim të kundërt me qeverinë, vazhdon të ngulë këmbë publikisht në refuzimin e dokumentit, pasi sipas tij Çekia do të humbiste kështu sovranitetin. Kushtetuta çeke në këtë rast nuk është e qartë. Edhe presidenti ka kompetenca në politikën e jashtme, jo vetëm kryeministri. Por refuzimi i i presidentit çek ndaj marrëveshjes së Lisbonës shihet tani me sy të keq edhe nga qytetarët. Gjysma e çekëve thonë se Klaus dëmton vendin me paraqitje publike si ajo kohët e fundit në Irlandë ku gjatë një vizite shtetërore, takoi privatisht iniciuesin e fushatës irlandeze kundër marëveshjes së Lisbonës dhe hodhi poshtë në mënyrë agresive kritikën e qeverisë irlandeze: Klaus dëmton vendin/"Ai duhet të përfaqësojë popullin dhe shtetin tonë dhe jo vetëm idetë e tij të çuditshme. Ai nuk ka respekt për mendimin e opinionit publik dhe politikanëve të tjerë dhe përpiqet të realizojë vetëm synimet e tij", shprehet një student. Presidenti Klaus është një figurë margjinale në Evropë, shkruan ndërkaq e përditshmja "Mlada Fronta dnes" e cila deri tani ka patur qëndrim miqësor ndaj presidentit. Një figurë e çuditshme që nuk është e aftë të interesat e vendit mbi pakënaqësitë e tij individuale, shkruan gazeta për Vaclav Klausin. Tre në katër çekë madje kritikojnë faktin që jashtë vendit Klaus mban një qëndrim të kundërt me pozicionin e qeverisë çeke. Rrallë është kritikuar Klaus kaq ashpër në të kaluarën. Çekia do të marrë presidencën e radhës në BE/Arsyeja është e qartë. Brenda pak javësh Çekia do të marrë presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së. Edhe vetë socialdemokratët në opozitë kanë vendosur një armëpushim me qeverinë. Klaus është tani i vetmi që vihet kundër dhe rrezikon kështu projektin e presidencës së BE-së. Një gjë e ka arritur presidenti çek: marrëveshja e Lisbonës ka shumë të ngjarë të mos ratifikohet më brenda këtij viti nga Çekia. Fajtor për këtë është Vaclav Klaus i cili la të shtyhej me dy javë vendimtare datën e seancës në Gjykatën Kushtetuese. Kur të martën në Brünn të ndizen dritat, do të shihet një Vaclav Klaus i kënaqur. ...