Reagon qeveria, përgatit planin e shkurtimeve në buxhet
Ironia
Arka e shtetit ska para dhe Bode është gati të firmosë reduktimet
Të tjerë gëzojnë, si stafi i ngushtë i guvernatorit, por të tjerë do të stresohen, pasi Ministria e Financave ka përgatitur një vendim për shkurtime drastike të shpenzimeve në buxhet.
Ironikisht sikur të ishin në shtete krejt të kundërta, kur Banka e Shqipërisë është e zhytur në luks, për hir të pavarësisë që i jep ligji, ministri i Financave dhe stafi i tij i departamentit të buxhetit kanë punuar gjatë muajit të gushtit për të parë mundësitë se ku do të ndërhyhet me shpenzimet. Situata me buxhetin konsiderohet tejet negative dhe Ministria e Financave mendon të ndërhyjë në disiplinimin e fondeve dhe duke ndaluar çdo prokurim të shpenzimeve operative.
Financat janë treguar më dorështrënguar me shpenzimet gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti, duke i reduktuar ato me rreth 1.2 për qind me bazë vjetore, sipas buletinit fiskal të 7 janar-korrik 2012. Në kushtet kur të ardhurat u rritën me rreth 4 për qind, deficiti buxhetor ka qenë rreth 30 për qind më i ulët në raport me periudhën përkatëse të një viti më parë.
Por pavarësisht reduktimit të deficitit, financat kanë qenë të detyruara që të shpenzojnë më shumë për të paguar interesat e borxhit, me shpenzimet për këtë zë që janë shtuar me rreth 1.2 për qind me bazë vjetore, ku pjesa më e madhe e rritjes ka ardhur si rrjedhojë e pagesave më të larta për interesat e borxhit të jashtëm.
Treguesi që e ka pësuar më shumë nga tkurrja e shpenzimeve ka qenë ai i shpenzimeve kapitale, që është një zë i rëndësishëm për të nxitur rritjen ekonomike në këto kohë të vështira. Shpenzimet kapitale janë reduktuar me rreth 7 miliardë lekë, apo 17 për qind në raport me 7-mujorin e parë të 2011-s. Ndërkohë që financat nuk kanë kursyer për shpenzimet e personelit, që janë rritur me rreth 2 për qind, me bazë vjetore.
Ndryshe nga buxheti i shtetit, BSH vijon me planin e shpenzimeve të larta. Për vitin 2012 janë planifikuar 11 milionë lekë të reja në formë kompensimesh ushqimi në BSH, kurse shpenzimet e sportit që në vitin 2009 kanë qenë 27.8 milionë lekë të reja, ose rreth 280 mijë dollarë, në 2012-n këto shpenzime janë ulur në 37 mijë dollarë.
Në vitin 2009, shpenzimet për personelin ishin 950 milionë lekë, kurse në vitin 2012, sipas të dhënave zyrtare nga buxheti i miratuar i vetë bankës, ka arritur në 1.3 miliardë lekë, pra 400 milionë më shumë, ose 30 për qind më tepër. I gjithë buxheti i BSH-së arrin në rreth 60 milionë dollarë, i marrë së bashku sa për 6 ministri.
Reagon qeveria, përgatit planin e shkurtimeve në buxhet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip