Real Betis fiton Kupën e Mbretit në Spanjë

Veprimtaria më e vjetër e futbollit spanjoll, Kupa e Mbretit, siç njihet me emrin zyrtar Kupa e Spanjës, ka kurorëzuar të shtunën në mbrëmje fituesen e edicionit të saj të 120-të, pasi Real Betisi ka mundur në finale Valencian, por vetëm pas lotarisë së 11-metërshve, teksa koha e rregullt dhe ajo shtesë ishin mbyllur në barazim 1-1. Sikundër ka ndodhur gjatë gjithë këtij sezoni me përballjet më të spikatura, edhe kjo finale, që u luajt në Stadiumin “La Kartuha” të Seviljes, erdhi për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport. Ndeshja në fakt ka nisur më mirë për Real Betisin, që, pas vetëm 11 minutash lojë, gjen rrugën e rrjetës me anë Borha Iglesiasit.
Betisi do të vijojë të mbizotërojë, por, në atë që do të ishte rasti i parë që iu paraqit, është Valencia që do të barazojë shifrat pas një gjysmë ore lojë, kur Hugo Duro finalizon me sukses një kundërsulm të skuadrës së tij.
Çerekora e fundit e pjesës së parë do të vijojë të luhet hapur dhe, përtej një rasti të shkëlqyer të Real Betisit, që do të shohë shtyllën e majtë pingule të portës së Valencias t’i mohojë golin, mbyllet në barazim 1-1 ky 45 minutësh i parë. Ai i dyti ka patur të njëjtën tablo, me skuadrën e trajnerit Emanuel Pelegrini që do të këmbëngulë më tepër, por, sikundër në pjesën e parë, është sërish shtylla e djathtë pingule e portës së Valencias që t’i mohojë golin. Për rrjedhojë, 90 minutat e kohës së rregullt do të mbyllen në barazim 1-1, duke bërë që gjithçka t’u drejtohet nga dy pjesëve shtesë nga 15 minuta secila.
Gjysmëora shtesë ka parë skuadrat, të ndikuara edhe nga lodhja, të kujdesen më tepër të mos pësojnë gol dhe, për rrjedhojë, edhe ajo nuk ka sjellë gola të tjerë, duke bërë që gjithçka t’i drejtohet goditjeve të 11-metërshve. Aty ku Real Betisi është treguar më e saktë nga pika e bardhë, duke i realizuar të 5 goditjet, teksa Valencia gabon njërën, dhe skuadra tjetër e qytetit të Seviljes siguron trofeun e Kupës së Spanjës për herë të 3-të në histori.