Reali: “Nuk na duhet Kaka”
As Kaka nuk do të kishte ndoshta një vend në formacionin aktual të Realit të Madridit. Lajmi i referohet presidentit të “Shtëpisë së bardhë” spanjolle, Kalderon. Pikërisht nga ai që u kishte premtuar tifozëve të tij blerjen e jashtëklasit brazilian, kur vitin e kaluar garonte për të fituar presidencën e shoqërisë merengues. Tani Kalderon bën hapa prapa. “Skuadra është e kompletuar dhe do të ishte e vështirë të kisha një më të mirë”. Deklarata që dalin jo vetëm nga vendi i parë në klasifikim, por edhe nga afrimi i sfidës me Barcelonën.
Ançeloti: “Ronaldinjo? Përse jo...?”
Berluskoni propozon nënshkrim popullor për pagim e një kuote të tifozëve kuqezinj për Ronaldinjon. “Para, - shton duke qeshur Ançeloti, - do të vendosë dhe ai”. Tekniku i Milanit shpjegon: “Në këto momente jemi të gjithë në pritje të Patos në janar dhe në qershor do të shohim për më tej”. Provinca e Milanos i dha dje Milanit çmimin “Premio Isimbardi”, për njohjen. “Është e rëndësishme, - komentoi Ançeloti, - që rezultatet tona janë njohur nga provinca ku ne operojmë”.
Briatore: “Nuk kam folur me Moxhin”
“Nuk kam folur kurrë me Moxhin apo me të tjerë për të blerë klube futbolli në Itali. Nuk e kam dëgjuar Moxhin as për blerjen e QPR (Kuins Park Rejnxhërs në Angli)”, - tha Briatore, i cili ishte thirrur për të dhënë sqarime në lidhje me skandalin e futbollit në Itali. “Nuk kam folur me Moxhin prej më shumë se një viti. Nuk kam folur me të as për të blerë Palermon dhe as Parmën. Nuk kam folur me Zamparinin dhe nuk e njoh menaxherin e Palermos, Foskin”.
Domenek provokon sërish Italinë
“E dinim se italianët luanin për barazim. E kishin thënë midis lojtarëve”. Kjo është shigjeta e fundit e kryetrajnerit të Francës, Rajmond Domenek. Provokimi i ri ndaj Italisë i teknikut transalpin u publikua në gazetën sportive italiane “Gazzetta dello sport” dhe i referohej barazimit 0-0 në ndeshjen e fundit midis dy ekipeve në kualifikueset e Euro 2008-s, të luajtur në Milano më 8 shtator. Gjatë kësaj ndeshjeje, Domenek ishte i pezulluar dhe e ndoqi ndeshjen nga tribuna. Dy ekipet kanë rënë sërish në finalet e Euro 2008-s së bashku edhe me Holandën e Rumaninë. Trajneri i Italisë, Roberto Donadoni, nuk dëshiroi të binte pre e provokimit të homologut të tij. “Ai (Domenek) nuk humbet rastin për të thënë të tilla gjëra dhe unë nuk e humbas rastin për të komentuar. Nuk më bën më përshtypje. Nuk kam aspak qëllim të ushqej të tilla diskutime”.
20 Dhjetor 2007