E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gilman Lika pranë Slavias së Sofjes

Dash Frashëri

Mesfushori i Vllaznisë dhe i Shpresave, Gilman Lika, ka shumë mundësi të largohet jashtë Shqipërisë gjatë merkatos dimërore. Lajmin e ka bërë të ditur menaxheri i futbollistit shkodran, Rudi Vata, gjatë një komunikimi telefonik me “Albania”-n. “Jam duke trajtuar mesfushorin Gilman Lika dhe sulmuesin Xhevair Sukaj”, - tha Vata, i cili ndodhej në Itali për disa kontakte me drejtues të klubeve italiane për disa nga lojtarët e tij jo shqiptarë. “Për Likën janë disa opsione shumë të mira. Njëra nga këto është Slavia e Sofjes. Ata e kërkojnë me këmbëngulje. Një mundësi tjetër e mirë është Legia e Varshavës në Poloni. Të dyja klubet, përmes menaxherëve të tyre, kanë shfaqur interes dhe për momentin duke detajuar disa çështje që kanë të bëjnë me praktikat e transferimit. Lika është një djalë me të ardhme dhe për më tepër është një lojtar shumë punëtor. Një tjetër mundësi është edhe kampionati belg. Gilman Lika ka shënuar një gol gjatë këtij sezoni kundër Flamurtarit, në barazimin 1-1 në javën e 9-të të Superligës.
SUKAJ - “Për Sukaj, - shtoi Vata, - interesohen disa ekipe, edhe pse nuk ka gjë konkrete për t’u bërë publike”. Sulmuesi i ekipit Kombëtar U-21 shkëlqeu në dy ndeshjet e fundit në eliminatoret e Kampionatit Europian 2009, ku arriti të shënojë 3 gola kundër Ishujve Faroe në Torshvan dhe 1 kundër Greqisë në Athinë. Sukaj, i cili ka shënuar dy gola në kampionatin shqiptar, është vëzhguar nga menaxherë të klubeve kroate gjatë fitores së Shqipërisë me Kroacinë (1-0) për eliminatoret e Shpresave.
TRAJNERI - Vata, i cili i ofroi presidentit Duka italianin Valter Zenga (i rrëzuar si kandidaturë), i rikthehet dhe çështjes së trajnerit të Kombëtares. “Unë mendoj se do të ishte momenti të kthehej në bankinë një trajner shqiptar. Mendoj se ka ardhur koha për ta bërë këtë”.

Cana: “Kemi qenë me lak në fyt”

Me gjithë zhgënjimin e madh në Ligën e Kampioneve, pas humbjes me Liverpulin 0-4 në Marsejë, Olimpiku i kapitenit Lorik Cana po shkon mirë në kampionat, ku ka gjashtë ndeshje pa humbur. Cana ka folur për “France Football”, ku shpreh edhe keqardhjen për pikët e humbura me Bordonë (2-2). “Pësuam dy gola të shpejtë, por humbëm edhe shumë topa. Ishte një mungesë fuqie, pasi i pësuam në mënyrë identike. Duhet t’i kishim shmangur”, - thotë Cana, që thekson se me fitoren 2-1 kundër Lionit, nisi edhe kampionati për Marsejën. “Kemi bërë paraqitje të mira, por jo të rregullta. Fitorja me kampionët e shumëfishtë të Francës na dha më shumë besim”. Cana jep edhe një shpjegim për vështirësitë e ekipit në shtëpi, në “Velodrome”. “Nuk është asgjë më shumë se një problem mentaliteti. Kemi pasur shumë presion në katër ndeshjet e para, pasi të gjithë kanë pritur nga ne pikët. Lojtarët ishin gati me lak në fyt dhe nuk jepnin plotësisht atë që mund të bënin me talentin e tyre. Nëse do t’i bënim një nisje të paktën mesatare, tani do të ishim në një vend më të mirë në kampionat. Kemi përjetuar momente të vështira, por publiku na ka mbështetur shumë. Po u tregojmë se tani jemi të denjë të veshim fanellën e Olimpikut të Marsejës.
Vata - Skuadra gjermane e Bundesligës 2, Tus Koblenz, bëri edhe një bilanc të shpejtë pas përfundimit të fazës së parë. Për këtë ekip luajnë tre lojtarë shqiptarë: sulmuesit Fatmir Vata dhe Ardian Gjokaj (nga Mali i zi) dhe mesfushori Artim Pollozhani (nga Maqedonia). “Sulmi i pranueshëm, por jo mjaftueshëm efektiv. Ardian Gjokaj (katër gola) ka qenë shumë gjatë i dëmtuar dhe i duhet të lënë ende kohë. Fatmir Vata po shkëlqen më shumë si përgatitës goli se sa si realizues”, - shkruante gazeta “Rhein-Zeitung” në versionin on-line.

Duka nis serialin “Post-Bariç”

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, të shtunën do të udhëtojë drejt kryeqytetit austriak, Vjenë, për të realizuar takimin e parë me kandidatin më të mundshëm për të marrë “çelësat” e bankinës shqiptare, Hans Krankëll. Ish-trajneri i Austrisë është rekomanduar nga avokati shqiptaro-austriak, Skënder Fani. Ditët e fundit gazeta sportive e afërt me presidentin Duka “Sport Ekspres”, pohoi se holandezi Ari Han ishte një alternativë e pranueshme, pas rrëzimit të kandidaturës së italianit Klaudio Xhentile (kërkoi 900 mijë euro në sezon).

20 Dhjetor 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›