E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali fsheh krizen

Nuk është normale ta shohësh kështu para kamerave, por gjendja është aq e rëndë saqë e detyroi. Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, doli para gazetarëve duke përgënjeshtruar lajmin e gazetës “Marka” se dy kapitenët Kasijas e Ramos i kanë dhënë ultimatum kundër Zhoze Murinjos.

“Jam këtu para jush vetëm që të përgënjeshtroj një lajm që ka si objektiv, madje objektiv personal, që të destabilizojë një institucion mbi 100-vjeçar”

Perez e ndjen për detyrë të japë disa sqarime shtesë.

“Nuk kam folur me Zhoze Murinjon. Erdha këtu me mendjen time duke menduar se është tepër e rëndë të luash me një institucion të nivelit të Realit të Madridit. Nuk e kam zakon të përgënjeshtroj lajme të ditës, por kjo është më e madhe se një lajm i ditës”.

Gazeta “Marka” ka reaguar pas daljes së Perezit duke sqaruar se gjithçka ka shkruar është e vërteta dhe me moton: Nuk destabilizojmë, por informojmë.
Reali i Madridit është tronditur nga një tjetër bombë mediatike, ndërsa sezoni i klubit të madh është në fije të perit. Murinjo ka qenë në qendër të shumë zhurmave e konflikteve, ndërsa “merengesit” synojnë të fitojnë Championsin, me titullin kampion tepër larg.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›