E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali i Madridit, në sulm për Arsen Venger

Reali i Madridit është vënë në ndjekje të Arsen Venger. Sipas "News of the World", gjigandët spanjollë kërkojnë që trajneri i Arsenalit të bëhet drejtuesi i ri i stolit në "Santiago Bernabeu" në sezonin e ardhshëm. Së fundmi, "merengues" prezantuan ish-trajnerin e Totenhemit, Huande Ramos në postin e teknikut, pas largimit të gjermanit Bernd Shuster. Ramos është nën kontratë deri në fund të sezonit, ndërkohë që bordi drejtues i Realit duket se nuk preferon t‘i ofrojë një marrëveshje afatgjatë. Lajmi se kampionët e Spanjës kërkojnë Venger mund të duket disi i çuditshëm, edhe për faktin se francezi nuk ka fituar asnjë trofe me "topçinjtë", që prej vitit 2005. Megjithatë, ndjekja e drejtuesit të stolit të Arsenalit shkon përtej lavdisë dhe titujve. Ai është i famshëm për mbështetjen e talenteve të reja, duke provomuar lojtarë si Çesk Fabregas, Geal Klishi apo Teo Uallkot. Venger ka preferuar t‘u japë një shans këtyre futbollistëve që në moshë të vogël, në vend që të shpenzonte shifra marramendëse për yje të njohur në arenën ndërkombëtare. Drejtuesit madrilenë janë kritikuar më së shumti për faktin se Akademia e klubit thuajse nuk funksionon, pasi prej shumë kohësh nuk kanë dalë lojtarë të talentuar. Presidenti Ramon Kalderon nuk e ka fshehur zhgënjimin për mungesën e futbollistëve "Made in Real", duke shtyrë Mishel që të japë dorëheqjen nga posti i drejtorit të ekipeve zinxhir. Gjithsesi, shanset që Venger të largohet nga Arsenali janë të pakta, edhe sepse kontrata e tij në "Emirates" skadon në vitin 2011.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›