E Diel, 1 Nëntor 2026

Reali nuk ka mëshirë, ia bën 8-2 Apoelit

REAL MADRID – APOEL NIKOSIA 5-2
GOLAT: Ronaldo 26′, 75′, Kaka 37′, Kalejon 80′, Di Maria 84′ / Manduka 67′, Solari 82′ (P)
REAL MADRID (4-2-3-1): Kasijas, Serxhio Ramos, Pepe, Marselo (Kalejon 46′), Varane, Kaka, Shahin, Altintop, Granero (Albiol 65′), Ronaldo, Higuain (Di Maria 55′) Trajner: Zhoze Murinjo
APOEL NIKOSIA (4-2-3-1): Urko, Horge, Kaka, Uilliam, Pursaitidis, Morais, Marsinjo, Haralambidis, Manduka (Adorno 68′), Ailton (Solari 70′), Pinto (Satsias 78′) Trajner: Ivan Jovanoviç
KARTONË TË VERDHË: Purstaitidis
Arbitër: Xhanluka Roki (Itali)

Spektakël golash në Madrid dhe një fund i lumtur për të dyja ekipet. Reali kualifikohet qetësisht për në gjysmëfinale, ndërsa Apoel Nikosia arriti të shënojë dy herë në një stadium mitik si “Santiago Bernabeu”. Djemtë e Murinjos e fituan ndeshjen e kthimit me rezultatin 5-2, duke pasur një golavarazh total 8-2. Madrilenët e nisën lojën me ndryshime të mëdha në formacion, pasi e nisën lojën si titullar Varane, Altintop, Shahin dhe Granero, ndërsa në stol qëndruan lojtarë si Benzema, Ozil, Ksabi Alonso apo edhe Di Maria.
Pjesa e parë - Ashtu siç pritej, vendësit dominuan bindshëm në fushën e lojës, duke bllokuar me saktësi lojën e kundërshtarit dhe duke e detyruar atë që të luajë në gjysmëfushën e vet. Ndërkohë, edhe zotërimi i topit shkoi mbi 70% për madrilenët. Pas disa rasteve të shpërdoruara, goli i avantazhit erdhi në minutën e 26-të. Krosim i Marselos në zonë dhe Kristiano Ronaldo që e shtyu lehtësisht topin për në portë. Tetë minuta para fundit të pjesës së parë, mendoi Kaka për të realizuar golin e dytë: në hyrje të zonës, ai gjuan mrekullisht në diagonale, duke mos i dhënë asnjë shans portierit Urko.
Pjesa e dytë - Duke mos pasur asgjë për të humbur, ekipi qipriot guxoi që të sulmojë më shumë dhe u shpërblyen në minutën e 67-të. Në një kundërsulm të shpejtë, Gustavo Manduka finalizoi bukur një aksion personal, duke ngushtuar diferencën. Futbollisti brazilian i Apoelit e nisi serinë e golave të Champions-it pikërisht në stadiumin e Korçës, kur i shënonte Skënderbeut dhe e mbylli në stadiumin “Santiago Bernabeu”, kundër Realit të Madridit. Gjithsesi, aq mjaftoi që madrilenët të zgjoheshin dhe të nisin një “lum” golash. Kristiano Ronaldo shënoi një gol të mrekullueshëm me goditje dënimi, në një kënd 30 gradë me portën, ndërkohë që pesë minuta më pas, në të 80′- n, ishte Kalejon ai që e çoi rezultatin në 4-1, pas një aksioni individual brenda zonës. Vetëm dy minuta më pas, Hamit Altintop shkaktoi faull në dëm të Adornos dhe arbitri akordoi 11-metërsh. Ishte pikërisht Esteban Solari ai që mori përsipër ta ekzekutojë dhe u tregua mjaft i saktë. Argjentinasi arriti të kopjojë të vëllanë, ish-lojtarin e madrilenëve, Santiagon, duke shënuar gjithashtu në atë stadium. Për të mbyllur me spektakël mbrëmjen mendoi Angel di Maria. Edhe pse nuk ka shumë kohë që është rikthyer nga dëmtimi, ai tregoi klasin e tij me golin e pestë të Realit në mbrëmjen e djeshme. Rreth 20 metra larg portës, ai përfitoi nga dalja e portierit kundërshtar dhe e dërgoi topin në formë parabole, duke siguruar kështu kualifikimin për në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve me një golavarazh të frikshëm, 8-2. Një Real që vazhdon të trembë çdo kundërshtar, por që në raundin tjetër duhet të motivohet akoma më shumë. E pret “makthi” i gjysmëfinaleve. Bajerni!

“Në finale, vetëm Barça është e sigurt”
Zhoze Murinjo ka ironizuar me Barcelonën edhe pas fitores me Apoelin. “Dueli ynë me Bajernin do jetë i vërtetë. Vështirë të bësh parashikime. Të shikojmë se kush prej nesh do luajë në finale ndaj Barcelonës”, tha portugezi. I pyetur nëse kualifikimi i Barçës për në finale do vijë prej arbitrave, ai tha: “Kjo ndodh sepse ata janë shumë të mirë”. Për sa i përket kundërshtarit të ardhshëm, ai shtoi: “E ndoqa Bajernin me Marsejën dhe vura re se ata janë të aftë për të fituar edhe ndaj Realit. Ka për të qenë shumë e vështirë. Gjithsesi, unë jam i lumtur që ne ia dolëm mbanë për t’u kualifikuar deri në gjysmëfinale”.

Ronaldo: Bajerni do na eliminojë
Kristiano Ronaldo i ka surprizuar të gjithë me deklaratën e dhënë në fund të ndeshjes kundër Apoel Nikosias. Ai ka folur me superlativa për kundërshtarin e gjysmëfinaleve, Bajernin e Mynihut, madje ka thënë se ka shumë gjasa që ekipi i tij të eliminohet. “Jam shumë i lumtur, pasi skuadra e realizoi objektivin që kishte në Ligën e Kampioneve, pra gjysmëfinalet. Në raundin tjetër na pret një kundërshtar shumë i fortë, si Bajerni i Mynihut. Ata janë favoritë për të shkuar në finale dhe unë mendoj se do na eliminojnë. Nuk është e lehtë të fitosh ndaj tyre. I shikoj si pretendentët kryesorë për të fituar Ligën e Kampioneve”, u shpreh Ronaldo. Më pas, ai komentoi edhe mbi golin e mrekullueshëm që shënoi me goditje dënimi: “Ekzekutimi i goditjeve standarde është një dhuratë nga Zoti dhe shpresoj që të shënoj edhe në të ardhmen në një mënyrë të tillë. Lumturohem shumë kur shënoj në atë mënyrë”.

MANDUKA, NGA KORÇA NË MADRID
Mesfushori brazilian i Apoel Nikosias, Gustavo Manduka, e nisi serinë e golave të Ligës së Kampioneve pikërisht në stadiumin e Korçës. Ai shënoi golin e dytë në fitoren 2-0 të arritur në Shqipëri, ndërkohë që golin e fundit në Champions për këtë sezon e ka shënuar në një stadium mitik si “Santiago Bernabeu”. Braziliani gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 67-të, duke ngushtuar rezultatin në 2-1, por nuk mjaftoi aq që skuadra e tij të evitonte një humbje të thellë 5-2.

Bajerni kundër Realit, historia favorizon gjermanët
Bajerni i Mynihut dhe Reali i Madridit janë përballur shpesh me njëritjetrin në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve dhe më saktë kjo është hera e pestë. Në të shkuarën, gjermanët kanë arritur të kenë një bilanc tejet pozitiv, pasi në katër sfidat në këtë raund të Champions-it, ata janë kualifikuar në tri raste, saktësisht në vitin 1976, 1987 dhe 2001, ndërsa madrilenët janë kualifikuar vetëm në vitin 2000. Në tetë ndeshje të luajtura mes dy gjigantëve të futbollit, në raundin e gjysmëfinaleve bavarezët kanë fituar pesë herë, barazuar një dhe humbur dy të tjera. Ndërkohë, gjermanët kanë shkuar tetë herë në finale, në 13 paraqitje në ½-at e kompeticionit evropian, duke e fituar trofeun katër herë.
(ge.pro/BalkanWeb/panoramasport)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›