E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkanadoll plus "Sulltan Sulejman"

Jo vetëm Shqipërinë, por gjithë atë territor që e kjartëson përsëmbari shprehja”Ballkanadoll” (po huazoj këtë titull nga një studim interesant i K.Myftarajt) e kanë përfshirë muajt e fundit filmat turk, kryesisht telenovela, duke nxjerrë jashtë loje, me një lehtësi habitore, "Bjutifullët" amerikanë dhe melodramat sentimentale latino-amerikane. Një ndër to, "Sulltan Sulejmani i madhërishëm", synon të ringjallë nostalgji për shekujt e robërisë osmane, një kërshëri historiko-artistike me harem duke synuar kulturalisht një lloj zaptimi të dytë të territoreve që dolën nga sundimi gati pesëshekullor. Kësaj here jo me shpatë e jeniçerë, por me kulturë "perandorake", me film, me art, me intriga oborri, me ndikim fetar, me qasje propagandistike e me melhem-nostalgji, duke rigjallëruar idenë imperiale, ç'ka kërkohet nga "popujt mbetje të osmanëve" në platformën e ideologut të neoosmanizmit, z. Davutogllu, aktualisht ministër i Jashtëm. (Turqia) "… Duhet të hedhë hapa që e fuqizojnë marrëdhënien e ndërvarësisë reciproke, veçanërisht në fushat ekonomike dhe kulturore ku e ndjen veten të fuqishme…" (A.Davutogllu, "Thellësia strategjike: Pozita ndërkombëtare e Turqisë".)
E ringjallur ekono-mikisht, Turqia ka një synim të qartë e, pse jo, edhe të sofistikuar: Të shtrijë e rishpërndajë ndikimin e vet, jo vetëm ekonomik të cilin tashmë e ka kryer, por edhe atë shpirtëror, kulturor e fetar mbi të gjithë ato popuj që i pat sunduar. Nuk është rastësi që pas Greqisë edhe Turqia kërkon zyrtarisht nga Shqipëria të rishkruhet historia, që Porta e Lartë të mos konsiderohet pushtuese, pasi me gjasë osmanëria na ka pasur pjesë integrale të saj, aleatë, bashkëqeverisës të Perandorisë e vëllezër. Në filmin "Sulltan Sulejmani i madhërishëm" numri dy i Perandorisë është rumeliot nga Parga, kurse gruaja e zemrës që e bën atë me trashëgimtar, një ukrainase. Kjo do të thotë që Porta e Lartë e pat realizuar katër shekuj më parë integrimin, derisa edhe në shtrat, edhe në nivelin më të lartë të qeverisjes ka pranuar të huaj (gjithsesi të konvertuar!), por jo pushtimin. Ndërsa Vatikani paskësh synuar vrasjen e Sulltanit human, nëpërmjet një femre të infiltruar në harem, kurse pushtimet në Rumeli, në Rodos, Egjipt etj, Sulltani Sulejmani, nipi i Sulltan Bajazitit që pushtoi Shkodrën, del se i ka bërë për të mirën e popujve, gati-gati si një çlirimtar që po sjell një qytetërim më të lartë se ajo e Evropës "barbare". Është ky sulltan që kreu konvertimin fetar masiv të shqiptarëve, gjë që, pas 400 vjetësh po "justifikon" ideologun e neoosmanizmës Davutogllu të na cilësojë "mbetje turke" në Ballkan, ashtu si para tij, një President i ftuar në Tiranë na quajti "popull vëlla","pjesë e të njëjtit komb".
Qëllimi i kësaj telenovele që kërkon të ringrejë idenë imperiale të shtyn vetvetiu te kjo pyetje: A mund të përfytyrohet që me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar të shfaqet në Turqi filmi "Skënderbeu", si po shfaqet tek ne "Sulejmani i madhërishëm"? Sigurisht jo, paçka se flitet për reciprocitet. Kur Berisha ishte President u detyrua të heqë bustin e Skënderbeut nga Pallati i Brigadave kur na erdhi një President turk. Në këtë kontekst jo rastësisht po sulmohet edhe heroi ynë kombëtar. Rastësi nuk mund të quhet as që Turqia e sotme po merr përsipër jo vetëm projektin, por edhe ndërtimin e xhamisë së Tiranës, njëlloj si Greqia kishat. Kësisoj në territoret ku jetojnë shqiptarë nuk është vështirë të zbulohet, më shumë se kudo tjetër në Ballkan, sigurisht jo vetëm nga konkurrenca prej shemre për ndërtimin e xhamive dhe kishave në udhëkryqe, në pikat dominuese, përplasja (hë për hë nën rrogoz) e neootomanizmit me neobizantinizmin. Këtë përplasje, më shumë paragjykimesh, nepsesh dhe mllefesh se sa qytetërimesh, ne shqiptarët po e paguajmë më shtrenjtë pasi jemi me sa duket më të papërgatitur, më të përçarë, më të hallakatur, me marzhin e gabimeve "historike" më të madh, krahasuar me fqinjët… Fatkeqësisht!
* * *
Këto ditë po shfaqet me shumë sukses në Teatrin Kombëtar një dramë serbe, "Doktor Shuster". Biletat i gjeta me mik. Gjatë shfaqjes vetiu më lindi kjo pyetje "ballkanike": A mund të shfaqet një dramë shqiptare në Beograd, sikur ndërkohë policia e Kosovës të kish kapur dhe poshtëruar dy policë serbë?!... A mund t'i japë Beogradi "çelësin" e kryeqytetit një këngëtari shqiptar, si iu dha Bregoviçit? Po Athina dhe Shkupi si do të vepronin, nëse pas një ndeshje futbolli të vritej një grek a një maqedonas dhe nëse ushtarët dhe fëmijët tanë do të këndonin në parada e stadiume këngë raciste kundër tyre?... Pyetjet e mësipërme kanë vlerë për të kuptuar se konfliktet dhe urrejtja e ndërsjellë në Ballkan nuk janë shuar, por po ndizen edhe më duke infektuar me racizëm dhe urrejtje ndëretnike edhe fëmijët e shkollave, të cilët mjerisht sot po rrihen e nesër rrezik të bashkëvriten.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se ne shqiptarët jemi më bashkëpunues, më tolerantë, më të lakueshëm, më të hapur. E thënë me një gjuhë më politike, siç po duken bathët, ne jemi më pak të infektuar me nacionalizëm edhe pse kemi dy shtete, edhe pse kemi qindra mijë shqiptarë tek të gjithë fqinjët, përfshi Turqinë, Greqinë dhe Italinë. Kështu p.sh tek ne vjen për vizitë Presidenti rumun, na provokon për vllehët, sikur këtu ka mbi 30% vllehë e ne heshtim; vjen Presidenti turk dhe pasi bëjmë një kurban në hyrje të kryeqytetit, heqim edhe Skënderbeun; vjen kryeministri grek, falim detin; vjen një ministër maqedonas i japim portin e Durrësit meqë e pat bllokuar Greqia; kishte nevojë Serbia kur bënte luftë në Kosovë, i çojmë naftë kontrabandë e ndoshta edhe armë. Kur akademikët maqedonas na bënë ardhacakë nga Kaukazi, heshtim; kur ortodoksët quhen grekë e gjysma që mbetet vllahe, magjype, serbe, rome, turke, etj. Pra dhe kur del se këtu nuk paskësh këmbë shqiptari etnik, ne përsëri buzëqeshim me dashamirësi "për hir të stabilitetit". Vjen Berluskoni, bllokojmë detin me ligj. Kur Vatra e SHBA-ve bën luftë klasash me ndrecëra, përsëri heshtim…. O Zot, jemi aq të mirë, sa të vjen për të qarë! Vetëm tek ne nuk ka asnjë parti që guxon të thotë se nuk e do NATO-n, integrimin në BE, miqësinë me SHBA-të, sikundër ka të tilla jo pak, madje edhe parti qeveritare në Serbi, Greqi, Maqedoni, Rumani, Hungari e Turqi. Por ama kjo është çudia tjetër! Ne gjendemi më të fundit, më larg Evropës, integrimit dhe simpatisë së fqinjëve se të gjithë vendet e popujt e tjerë të Ballkanit! E pra, si shpjegohet kjo?
Kjo është ana e dukshme, ndërsa realisht procesi i riintegrimit të Ballkanadollit në Turqi dhe anasjelltas është ku e ku më i sofistikuar. Sigurisht që me këtë sy mund të shihet edhe invazioni që po bëhet, jo pa sukses, me ndihmën e diplomacisë dhe futjen e kompanive dhe bankave turke e greke në Shqipëri, së fundi edhe me fe e me kulturë, përkatësisht me telenovela, të cilat duke hyrë përnatë në familjet tona e bëjnë më të kollajtë qëllimin e operacionit tjetërsonjës: Binduni o arnautë sa të varur, sa të ngjashëm e sa të njëjtë jemi në zakone, në folklor, në doke, në fe, në marrëdhëniet familjare, në histori, në mendësi. Kjo do të thotë se ju shqiptarët e sotëm jeni më tepër pjesë e Anadollit, se e Evropës. Telenovelat janë sponsorizuar nga ky qëllim/synim/ndikim. Shqiptarët e Maqedonisë dhe një pjesë e Kosovës shërbejnë si ilustrim i kësaj "platforme", e cila po ngjizet në këto zona më kollaj me telenovela të ambalazhuara e të sponsorizuara me ide "imperiale" e fetare, se sa me idetë teorike të z.Davutogllu. Si një llavë vullkanike ne po rrëshqasim pa e kuptuar drejt Orientit.
Kalimi i vendeve të Ballkanit nga pushtimi osman në pavarësi e vitet e fundit nga diktaturat në demokraci mëkoi shpresën dhe synimin e gjithë fuçibarutësve problematikë dhe konfliktualë të Ballkanit për t'u evropianizuar e për të hyrë sa më shpejt në BE e në NATO. Por, kjo nuk do të thotë si përfytyrohej në zgrip të diktaturës, se automatikisht do të gdhiheshim evropianë dhe se do të bëhej e pamundur një tjetër qasje njëjtësuese me Lindjen e me Anadollin. Me sa duket, dobësimi dhe mpakja e shpresës për të hyrë shpejt në Evropë ka mundësuar ringjalljen e "frymës dhe kulturës orientale" edhe për shkak të tranzicionit të zgjatur, të varfërisë, të zhgënjimit nga demokracia, të mungesës së koherencës dhe të platformave të qarta të Perëndimit për popujt dhe shtetet e dobët të Ballkanit, të vobektësisë së tra-shëguar të krerëve si dhe prej kaosit moral, politik e social që ka sunduar gjatë në këto vende me de-mokraci të brishtë, me identitet dhe integritet të cungët. Identiteti ynë po merr kësisoj një tjetër trajtë: Ne qenkemi më të prirur për t'u konvertuar në turk, grek, amerikan, gjerman, anglez etj, nëse kjo na siguron siguri e mirëqenie. Këtë cilësi, veti, apo n'daç hall mbi hall i kanë shfrytëzuar djallëzisht fqinjët tanë në këto 20 vjet.
Tensionet, konfliktet, grindjet e shtuara mes vedi të sponsorizuara më së tepri nga jashtë se nga brenda mes të gjitha shteteve e popujve të Ballkanit, sherre që kanë përfunduar në luftëra, pastrime etnike, emigracion të detyruar, ideologjizim të sforcuar fetar, të shoqëruara me përplasje etnike e fetare, e kanë amplifikuar mundësinë e rikthimit kulturor të Sulltan Sulejmanit të madhërishëm, d.m.th të ndikimit të neootomanizmës, si një trysni e cila pretendon të ketë përmasa botërore. E vërteta është se mes gjithë popujve të Ballkanit sherret e mosmarrëveshjet nuk erdhën në zgrip, pas vendosjes së demokracisë, por janë acaruar edhe më midis Greqisë dhe Maqedonisë, mes Serbisë dhe Kosovës, mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, mes Greqisë dhe Turqisë, mes Shqipërisë dhe Serbisë. BE nuk ka mundur të ushtrojë ndikim paqtues me formulën e paqartë të integrimit që po ofrohet herë si shkop e herë si një karrotë. Përballë Evropës popujt ballkanikë gjenden njëlloj të përçarë, me grindje "pluraliste" edhe nga brenda, si atëbotë kur kërkonin mëvetësi nga Turqia. Instrumentet fetare bashkë me kujtimet folklorike të luftërave të vjetra po përdoren nga krerët e sotëm ballkanikë si mjete paraushtarake për rekrutim dhe rreshtim militantësh e paramilitarësh, se sa në shërbim të bashkëjetesës. Këngët antishqiptare, sulmet mbi autobusët e fëmijëve shqiptarë në Shkup, konflikti i tejzgjatur në veri të Kosovës, arrestimi dhe poshtërimi i policëve kosovarë... janë fijet e një fitili që synon t'i afrohet fuçisë së vjetër të barutit ballkanik. Aktualisht Ballkani i ngjan një territori me disa vilajete ku krerët pasi grinden mes vedi, vetëkarfosen si vezirë, por jo si të një territori shtetesh të pavarura, sovrane e demokratike. Ndaj përbukuri na shkon emërtimi Ballkanadoll.
Ndërsa boshti tjetër, ai i neobizantinizmës, i kryesuar nga Greqia, dhe e mbështetur nga Serbia, mund të thuhet se ka dështuar se nuk ka asnjë mundësi të bëhet lidership, të ndërtojë një aleancë të re ballkanike, jo vetëm për shkak të krizës serbe e tash edhe greke, të mosfunksionimit të megalidhjes, si një platformë e dështuar që një shekull më parë, por edhe të megalomanisë tipike greke/serbe, paçka se këta vazhdojnë të besojnë e mbrojnë klishetë e shekullit të 19-të, duke u vetëshpallur si raca superiore e Ballkanit ndaj "mbetjeve muslimane". Meqë Greqia, si anëtar i NATO-s dhe i BE-së kishte standarde ekonomike më të larta, madje edhe kartabiankën e kujdestarit fuqiplotë mbi rajon mund të thuhet se tashmë ajo e ka humbur përfundimisht shansin të bëhet lider i Ballkanit. Ca më tepër Serbia, kjo gjeneratore e tensioneve dhe konflikteve. Vetëm kur ta kuptojnë këtë të vërtetë, neobizantinët e sotëm do të çlirohen nga makthet e vetvetes, rrjedhimisht edhe Ballkani ka për t'u rehatuar. Po sa i leverdis kjo qetësi neootomanizmës së rikuperuar dhe neobizantizmës së mpakur?
Ashtu si për të shijuar një pikturë duhet t'i largohesh, edhe për të kuptuar klimën e Ballkanadollit të sotëm ndoshta ia vlen kjo copëz marrë nga një intervistë e shkrimtarit izraelit David Grossman tek emisioni "Shqip": "… Kjo është një jetë me frikë… gjithë kohën je në gatishmëri për goditjen e radhës, për lajmin e keq të radhës. Ne mësohemi me lajmet e këqija, lindim mes tyre, lindim fëmijët tanë me to dhe fillojmë të besojmë që ndoshta ky është realiteti i vetëm i mundshëm për ne. Më keq akoma, nuk besojmë që një realitet tjetër, realitet ku mbizotëron paqja, është i vërtetë, real, i arritshëm. Unë mendoj që këto ndjesi të fondamentalizmit dhe nacionalizmit na pengojnë për ta jetuar jetën të plotë. Ne në fakt nuk jetojmë, ne mbijetojmë nga një fatkeqësi në tjetrën. Armiku nuk është njeri. Ti nuk mund të njohësh një person, kur e sheh atë si armikun tënd. Urrejtja dhe mllefi nuk më çojnë askund. Nuk më ndihmojnë për asgjë. Janë këshilltarë të këqij. Që të mos ketë më luftëra duhet të heqim dorë nga mllefi"…. E pra, jo politikanët, por njerëzit e kulturës mund të mbjellin një frymë të tillë paqtimi. Por në Ballkan, mjerisht akademikët, shkrimtarët e punëtorët e mendjes si këshilltarë të këqij me sa shihet nuk i kanë shpëtuar dot tundimit të trashëguar, ndaj e shohin fqinjin si armik. Mungesa e perspektivës dhe e një platforme të qartë e BE-së për Ballkanin Perëndimor po e shtyn me lehtësi këtë rajon drejt transformimit të pakushtëzuar në Ballkanadoll e për këtë nuk ka pse bëhet me faj, për herë të dytë, "Sulltan Sulejmani i madhërishëm" dhe as për herë të parë z.Davutogllu.
Sepse armiku nuk është njeri!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›