E Shtunë, 31 Tetor 2026

“AIDS, raste te përdoruesit e drogës”

TIRANE-Numri i personave me HIV/AIDS po vjen në rritje. Kryetarja e shoqatës së personave që jetojnë me HIV në Shqipëri ka bërë të ditur se, gjatë këtij tremujori të parë të këtij viti rastet janë shtuar. Sipas saj, rastet që janë drejtuar pranë shoqatës dhe më pas janë referuar për të bërë testin për HIV kanë rezultuar pozitiv, ku midis tyre ka qenë edhe një djalë i ri, përdorues droge. Një tjetër problem madhor sipas kryetares së kësaj shoqate, por edhe mjekëve të qendrave shëndetësore në Tiranë mbetet testimi i ulët për HIV nga gratë shtatzëna. Sipas mjekëve, niveli i testimeve është i papërfillshëm pothuajse zero. Ata sugjerojnë që ndofta do ishte pozitive që ky lloj testimi të ishte i detyruar në mënyrë që të gjitha gratë të bënin këtë analizë si shumë analiza të tjera që bëjnë gjatë shtatzënisë së tyre për të parë shëndetin e fëmijës.
Rastet
"Rastet e personave të prekur nga virusi HIV/AIDS në vendin tonë po shtohen. ISHP ende nuk i ka nxjerrë të dhënat për tremujorin e këtij viti, por duke pasur parasysh rastet që drejtohen në shoqatën tonë dhe ne më pas i referojmë për të bërë testimin për HIV në ISHP, janë në rritje. Vetëm gjatë këtij muaji kemi pasur dy raste që kanë rezultuar pozitiv. Ka qenë një femër e martuar që kishte burrin HIV pozitiv, dhe një djalë i ri i cili është përdorues droge. Këto të dhëna janë shqetësuese, pasi vihet re se numri po rritet ndjeshëm, po ashtu rasti i një personi që është përdorues droge krijon më shumë rrezik për përhapje, pasi ata shkëmbejnë shiringat njëri me tjetrin. Ndërkohë që studimet e fundit për këtë kategori tregojnë për një shpërthim të hepatiteve B dhe C te përdoruesit intravenoz të drogave", - ka sqaruar kryetarja e Shoqatës së personave që jetojnë me HIV në Shqipëri. Sipas saj, masat që po merren në vendin tonë për ndalimin e përhapjes së HIV/AIDS nuk janë shumë pozitive, për arsye se numri i të infektuarve sa po vjen e po rritet. "Vitin 2011 kemit pasur vitin me numrin më të madh të personave të identifikuar me HIV/AIDS. Grupmoshat më të prekura janë 24-40 vjeç pra jemi në fillimet e një epidemie pasi sëmundja qarkullon në popullatën brenda vendit dhe jo vetëm nga grupet e rrezikut, si janë përdoruesit e drogës, punonjëset e seksit etj. Pra janë nga popullata e zakonshme", - ka thënë kryetarja e shoqatës së personave që jetojnë me HIV/AIDS.
Testimi
Gratë shtatzëna në vendin tonë, sipas ligjit për HIV/AIDS i cili është miratuar në vitin 2008 nuk e kanë të detyruar që të bëjnë analizën për të verifikuar nëse janë apo jo HIV pozitiv. Por, ligji sanksionon se ato duhet të këshillohen nga mjeku dhe më pas në mënyrë vullnetare duhet që të vendosin për të bërë apo jo këtë analizë. Por, sipas mjekëve të qendrave shëndetësore në kryeqytet, numri i grave që testohen është shumë i vogël. "Ne u themi që është edhe kjo analiza për të bërë. Ato menjëherë thonë, ne jemi familjare, jemi të pastra çfarë është kjo që thoni. Nuk ka lidhje me arsimimin apo zonën se nga vinë në këtë pikë pothuajse të gjitha gratë reagojnë në të njëjtën mënyrë", - tregon një prej mjekeve në ambulancën nr.4. E cila ka sugjeruar se do ishte pozitive që edhe kjo analizë si shumë analiza të tjera që janë për fëmijët të bëhen në formë të detyruar. Ndërkohë që kryetarja e shoqatës së personave që jetojnë me HIV, ka sqaruar se jo vetëm gratë shtatzëna nuk pranojnë të bëjnë këtë lloj testimi, por në shumicën e rasteve edhe vetë mjekët neglizhojnë që të bëjnë këshillimin e femrave në mënyrë që tu mbushin mendjen përse është e domosdoshme që të bëhet kjo analizë. "Ne po përpiqemi që të nisim një sërë trajnimesh me mjekët e qendrave shëndetësore në Tiranë, në mënyrë që mjekët të jenë më të informuar dhe të bëjnë një këshillim më të mirë të grave shtatzëna për të bërë këtë analizë e cila është e vetmja mënyrë për të çuar në zero numrin e fëmijëve të infektuar nga HIV-i. Ndofta do ishte mirë që të ndiqej modeli amerikan, ku çdo grua për të marrë shërbimin shëndetësor falas duhet që më parë të bëj këtë lloj testimi. Të bëhet në një formë e detyruar, jo me ligj, por duke kufizuar shërbimet shëndetësore falas", - ka sqaruar kryetarja e kësaj shoqate, e cila apelon që gratë shtatzëna të bëjnë testin e HIV pasi shpesh herë në vendin tonë fëmijët kanë lindur të infektuar pasi nënat nuk e dinin që ishin me HIV pozitiv.

Gjatë 2011 u diagnostikuan 65 persona me HIV/AIDS
Viti 2011 ka rezultuar me diagnostikimin më të madh të personave me HIV/AIDS ndër vite. Sipas të dhënave zyrtare në Institutin e Shëndetit Publik numri i personave që kanë rezultuar HIV pozitiv për vitin 2011 është 65 persona, ku midis tyre tre janë fëmijë. Ndërsa numri total i fëmijëve të infektuar shkon në 24. Koordinatori kombëtar për projektin e HIV/AIDS në vendin tonë Roland Bani gjatë një interviste dhënë për "Gazetën Shqiptare" ka sqaruar se nga këta 65 persona, 48 janë meshkuj ndërsa 17 femra, duke e çuar numrin total të të infektuarve me HIV/AIDS në 478 të infektuar. Këto të dhëna janë deri në dhjetor të vitit të kaluar ndërsa për tremujorin e 2012 ende nuk kanë dalë statistikat nga ISHP. Sipas Specialistit të ISHP-ës Bani, mendohet se numri në total i të infektuarve në vendin tonë mund të jetë mbi 1000-1500 persona. Nga të dhënat e këtij institucioni ndjekin terapi e antroretroviral 161 persona, ku midis tyre 14 janë fëmijë. Edhe gjatë rasteve të diagnostikuara për këtë vit kanë rezultuar pozitiv ndaj këtij virusi tre fëmijë, nën 15 vjeç, të cilët e kishin marrë sëmundjen nga nëna. Për këtë arsye Specialisti Roland Bani bënë apel që çdo grua shtatzënë duhet të kryej testin për HIV/AIDS pasi nëse merren masat e duhura në kohë, fëmija lind i shëndoshë. Gjithashtu, ai apelon për bërjen e testimit nga ana e çdo personi që mendon se ka kryer marrëdhënie seksuale jo të sigurt, duke pasur parasysh që 92% e rasteve në vendin tonë janë infektuar nga rrugë seksuale.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›