Reali nuk lejon surpriza në Zagreb

Të përzgjedhurit e Hoze Murinjos patën një përballje jo edhe aq të lehtë si miq kundër Dinamos në Zagreb, në takimin e parë të Ligës së Kampionëve, në kuadër të grupit D.
Real Madridi nuk e pati edhe aq lehtë të vijë deri te pikët e para, por shumë të vlefshme në këtë grup, ndonëse përballë patën një ekip që nuk i afrohet për nga kualiteti skuadrës madrilene. Megjithatë, Dinamo e Fato Beqirajt, i cili u aktivizua në pjesën e dytë, nuk arriti të rrezikojë seriozisht portën kundërshtare me gjithë dëshirën për të bërë një gjë të tillë.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, në fillim të pjesës së dytë, përkatësisht në minutën 52, Di Maria solli Realin në epërsi 1:0. Dy minuta më vonë Ronaldo ka mundur të dyfishojë epërsinë, por nuk ishte preciz.
Deri në fund të ndeshjes nuk pati ndryshime në rezultat dhe mysafirët fituan me meritë tre pikë, ndonëse me një lojtar më pak, pasi Marçelo në pjesën e dytë u përjashtua për shkak të kartonit të kuq.