Sezoni në rrezik, në NBA

Pas optimizmit që u shfaq gjatë takimeve të javës së kaluar, rikthehet brengosja rreth grevës së basketbollistëve të NBA-së. Në takimin e së martës mbrëma ndërmjet David Stern dhe pronarëve të klubeve dhe asociacionit të lojtarëve nuk ka pasur hapa përpara, por e kundërta.
Në takimin e mbajtur në New York, të dyja palët kanë mbetur larg pozicioneve të tyre, njëjtë siç ndodh nga muaji qershor, ngase propozimi i pronarëve të klubeve as që i afrohet kërkesës së lojtarëve.
“Sigurisht, nuk ishte një ditë e mirë. Të enjten do të mbahet një takim ndërmjet pronarëve. Për momentin nuk e kemi ndërmend ta ndalim asnjë ndeshje para-sezonale, por situata është e vështirë. Mirëpo, unë dëshiroj të vazhdoj të jem optimist”, ka thënë komisionari i NBA-së, David Stern.
Mendimin e tij e ka dhënë edhe Billy Hunter, drejtor ekzekutiv i palës së lojtarëve. “Takimi nuk ka sjellë kurrfarë rezultati. Në këtë moment nuk ekziston mundësia që asociacioni ta pranojë propozimin e pronarëve. Lojtarët e dinë se së paku gjysma e sezonit mund të dështojë të luhet para se të arrihet një kompromis”, deklaroi ai.
As Derek Fisher, i cili është njëri nga përfaqësuesit e basketbollistëve, nuk duket të jetë optimist rreth një zgjidhjeje eventuale. “Nuk jemi absolutisht afër një marrëveshjeje. Nuk mendojmë se trajning kampi dhe faza para-sezonale do të nisin në datat e parashikuara”, tha basketbollisti i Los Angeles Lakers.
Më 3 tetor është paraparë të fillojë trajnim kampi dhe faza përgatitore për sezonin e ri për klubet, ndërsa në nëntor parashihet fillimi i sezonit të ri. Por, një gjë e tillë vështirë se do të ndodh, vetëm nëse ndodh ndonjë mrekulli.
Disa prej lojtarëve të njohur të NBA-së kanë nënshkruar me klube evropiane, kineze, apo edhe arabe, për ta mbajtur formën, derisa të gjendet një zgjidhje në basketbollin amerikan. Mosmarrëveshjet ndërmjet lojtarëve dhe pronarëve të klubeve kanë të bëjnë me kontratat. Lojtarët kërkojnë më shumë siguri, me kontrata kolektive, gjë të cilën nuk e garantojnë për momentin klubet.