E Shtunë, 31 Tetor 2026

Realitet pesimist!

Pesimizmi është një ndjenjë aspak e këndshme, që për arsye të ndryshme na prek të gjithëve në raste të veçanta. Por, ajo që po ndodh prej vitesh me futbollin tonë, të rënduar sa s’ka më nga lloj-lloj prapësish e pisllëqesh, ka bërë që pesimizmi rreth tij të mos jetë i përkohshëm e fragmentar, por të ulet këmbëkryq për një kohë të gjatë, aq sa e ka mbërthyer atë në një shtjellë gati pa rrugëdalje.
Sikur të mos mjaftonin këto historitë e shumta të shitblerjeve të ndeshjeve, të pazarllëqeve mes batakçinjve të ndryshëm të të gjitha kategorive, niveli tepër i ulët i lojërave - deri në diletantizëm ekstrem, gjykimi skandaloz i arbitrave - shpeshherë hileqarë, boshatisja në masë e stadiumeve prej spektatorëve të dëshpëruar për gjithë këtë zallamahi që ka prekur tashmë edhe ekipin kombëtar, ja tek ndeshemi edhe me një pamje tjetër të tillë, madje edhe më e shëmtuar, si ajo që ndodhi në Laç javën e kaluar, kur fusha e lojës u kthye në një arenë përleshjesh në të cilën ndryshimi mes skenave të luftës së përgjakshme nuk ishte fort i madh!
Si mund të ndjehesh mirë dhe të flasësh apo të shkruash nga ato broçkullat “entuziaste”, siç bëjnë disa lakej që vetëm pse shohin në një ndeshje disa grumbuj spektatorësh, shpërndarë andej-këtej si ndoca mjeranë nëpër ato shkallare tribunash pa asnjë komoditet minimal, menjëherë nisin e bërtasin si për një zbulim të “bukur” që po i ndodhka këtij futbollit tonë, duke harruar me kast ato pamje festive që shihen kudo nëpër stadiumet e botës që gati sa nuk pëlcasin nga dyndja e tifozëve në to! A e keni vënë re se, janë pikërisht këta “disa” që përpiqen të krijojnë e të përpunojnë opinione nëpër ekrane tv-sh e faqe gazetash, me demek se ky futbolli ynë nuk na paska ndonjë gjë më pak se ai futbolli i huaj! Të palodhur, nuk e di pse(?!), me këto dëngla e gërr-gërre, megjithatë, ata nuk mund ta zhbëjnë këtë realitet të damllosur të futbollit tonë, që prej vitesh nuk i jep asnjë kënaqësi njerëzve tanë, që përkundër kësaj gjendjeje vazhdojnë si gjithnjë të gjejnë ngushëllim nga ajo ç’ka shohin përmes dritareve të botës së zhvilluar. Dakord, Real-Barcelona, sepse është një ngjarje e jashtëzakonshme futbollistike që mahnit tërë botën, po kështu edhe ndeshjet që luhen në Angli, Gjermani, Itali apo vende të tjera që s’kanë asnjë shëmbëllim me këtë tonin, por shqiptarët duan diçka edhe nga ky futbolli ynë, aq më tepër kur ai ekziston formalisht, duke pasur një institucion kombëtar që e drejton atë si dhe një kampionat që zhvillohet për çdo javë. Por, çfarë shohin realisht prej tij? Asgjë nga ajo që ofron bota! Sepse vetëm tek ne luhen ndeshje pa spektatorë nëpër stadiume, madje edhe kur hyrja në to është e lirë, pa bileta! Një refuzim i tillë i ndeshjeve ka një shkak të fortë e të pakundërshtueshëm: mungesën e cilësisë së lojërave, aq sa të duket sikur sheh ca amatorë në fushë dhe jo futbollistë profesionistë, disa prej të cilëve, çuditërisht, paguhen me miliona! Për më tepër, kjo gjendje plotësisht e nderë dhe tepër kritike e kampionatit tonë nuk ka se si të mos pasqyrohet edhe në ekipin përfaqësues, që veç të tjerave ka arritur kulmin prej rreth dy muajsh me mungesën e trajnerit në të, aq sa dy ndeshje ndërkombëtare të tij u luajtën sikur ky ekip të ishte jetim!
Si të mos jesh pesimist me këtë realitet të shpifur dhe të pashpresë në të cilën gjendet prej vitesh futbolli ynë? Rasti i përleshjeve në Laç, mes tifozëve dhe drejtuesve të klubit futbollistik të atjeshëm ndaj arbitrit Lorenc Jemini, nuk mund të quhet si i veçuar për futbollin tonë, sepse të gjithë jemi dëshmitarë të një lufte të tillë, si në Irak(!?) edhe nëpër ndeshje e qytete të tjera, ku shpeshherë policisë i është dashur të ndërhyjë për të shpëtuar nga kthetrat e të revoltuarve, arbitrat e përfolur prej tyre. Me sa duket, ishte momenti i vërtetë i arbitrave për të bojkotuar edhe ata kampionatin, siç e kanë bojkotuar prej kohësh edhe spektatorët. Ky është realiteti, as rozë dhe as i zi, por thjesht një realitet i ndryshkur i futbollit shqiptar, që në kupolën e tij nuk duan ta pranojnë asnjëherë si të tillë! Prandaj edhe jemi këtu ku jemi, në një gjendje ku niveli i lojërave vazhdon të jetë më i ulëti që mund të gjendet në këtë rruzull, ku spektatorët janë neveritur nga kampionati, por edhe nga Kombëtarja, të cilën e braktisën thuajse plotësisht në ndeshjen e fundit në Tiranë ndaj Azerbajxhanit, ku arbitrat sulmohen prej kujtdo dhe ngado, duke prishur edhe atë pak imazh të mirë që dikur kishin disa qytete tonat, përfshi së fundi edhe Korçën qytetare. Ky futboll-idhnak dhe aspak miqësor, kështu siç po vazhdon të shfaqet, na ka bërë që të mbetemi përsëri pa asnjë shans shprese, duke na zhytur gjithnjë e më thellë në këtë realitet pesimist..

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›