E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg përjetë Gaxhait, 100 vite për shokët e tij

Vendimi

Gazmend Braka, mori dje vendimin e dytë me burgim të përjetshëm për luftën mes bandave në Vlorë në '97


TIRANË- Tjetër burgim të përjetshëm për Gazmend Brakën i njohur ndryshe si "Gaxhai" ka dhënë dje Gjykata e Krimeve të Rënda në kryeqytet, ndërsa për katër shokët e tij është vendosur në total dënimi i tyre me 100 vite burg, përkatësisht me nga 25 vite secili.


Sipas vendimit të togave të zeza të kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, pesë të pandehurit u shpallën fajtorë pas pesë viteve proces gjyqësor, duke u dënuar për "krijim të organizatës kriminale"; "kryerjen e krimeve në kuadër të organizatës"; vrasjen e 7 personave, sulmin ndaj Komisariatit të Policisë së Vlorës si dhe tri grabitje të kryera me armë.


Togat e zeza të kësaj gjykate, pasi dëgjuan pretendimet e palëve në proces, vendosën që i pandehuri Gazmend Braka, i njohur me nofkën "Gaxhai" të dënohet me burgim të përjetshëm, si organizatori dhe drejtues i "bandës" nën emrin dhe urdhrat e të cilit janë kryer këto krime.


Për të pandehurit Armando Sulejmani, Sokol Sinemati, Edmond Leskaj dhe Gazmend Nebiu gjykata vendosi dënimin e tyre me nga 25 vite burg secilin. Në vendimin e gjykatës, u renditën në mënyrë kronologjike bëmat e kësaj bande të drejtuar nga "Gaxhai" që nga krijimi, organizimi, drejtimi, vend strehimet e tyre e deri te konfliktet me "bandën" Myrteza Çaushit të njohur si "banda e Zanit".


Madje përplasja me këtë bandë, sipas vendimit, solli edhe vrasjen e 6 personave, pjesëtarë të dy bandave, sulmin ndaj Komisariatit të Vlorës dhe tri grabitjet me armë të kryera në emër të "bandës". Të gjitha këto krime, sipas gjykatës, janë kryer gjatë vitit të 1997 në qytetin bregdetar të Vlorës dhe fshatrat për rreth nga pesë ta pandehurit e drejtuar nga Gaxhai dhe personat e tjerë tashmë të vrarë.


"Në fillim të vitit 1997 kushtet e sigurisë publike në qytetin e Vlorës ishin përkeqësuar së tepërmi. Në ditët e para të muajit mars, si rrjedhojë e disa zhvillimeve social-politike në qytetin e Vlorës, u hapën depot e ushtrisë dhe armët u morën nga civilët.


Në këto kushte kur rendi dhe siguria publike nuk ekzistonin më edhe si pasojë e hapjes së burgjeve ku persona me precedentë të lartë penalë u lanë të lirë, në qytetin e Vlorës filluan të krijohen grupimet e para armatosura",- thuhet në vendim ku evidentohen tri "bandat" e ngritura në këtë qytet, ajo e "Xhelitajve" në lagjen "Centrale"; "banda" e Zanit në lagjen "Çole" si dhe ajo e Gaxhait në fshatin Cerkovinë të Vlorës.


Këto "banda" fillimisht kishin për qëllim ruajtjen e lagjeve të tyre nga keqbërësit, por më pas pjesëtarët e tyre nisën të zgjasin duart edhe në kryerjen e aktiviteteve kriminale, duke filluar përçarjet dhe vrasjet mes tyre, që solli edhe shumë të vrarë dhe të plagosur mes bandave në Vlorë. Për këto veprime, prokuroria kishte kërkuar për të gjithë të akuzuarit, burgim të përjetshëm, poër një vendim i tillë u dha vetëm për drejtuesin e bandës.


Si u krijua banda e Zanit


Në fillim të marsit 1997, Gazmir Brakaj krijoj "bandën" e tij që njihej dhe identifikohej nën pseudonimin e tij, si banda e "Gaxhait". Më pas filloi edhe rivaliteti mes tyre, duke vazhduar më pas me vrasjet ndaj njëri-tjetrit dhe aktivitete të ndryshme kriminale.


Sipas vendimit, të pandehurit në mënyrë direkt dhe indirekte kanë marrë pjesë në vrasjen e shtetasve: Bashkim Dule, Sadik Kurti, Avdul Bajrami (që është djegur më pas), Dhimitraq Mishka, Zihni Haruni, Ilir Mara dhe Robert Myftari. Si dhe në kuadër të kësaj "bande" ata kanë kryer vjedhjen me dhunë edhe ndaj shtetasve Ardian Skënderi, Artur Pashaj dhe Vladimir Mema. Të gjitha këto krime gjatë vitit 1997.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›