Shehu: Dëmshpërblimi për të përndjekurit zvarritet nga qeveria
Anëtarët e komisionit të Ekonomisë shfaqen skeptikë për dëmshpërblimin brenda këtij viti
TIRANË - Fondi i përcaktuar në buxhetin e vitit 2009 për dëmshpërblimin financiar të ish të përndjekurve politik nuk do të mund të shpërndahet deri në fund të dhjetorit. Ish-zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, u shpreh skeptik në lidhje me përfundimin e shqyrtimit të dosjeve nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa i bëri apel qeverisë që të marrë masat për të bërë të mundur shpërndarjen sa më parë të parave për ish të përndjekurit.
Sipas Shehut, nuk ka asnjë arsye logjike që të justifikojë këto vonesa, ndërsa pas shqyrtimit të dosjeve, sipas tij, nuk ka asnjë pengesë që të mos lejojë shpërndarjen e parave. "Qeveria të mos zvarrisë shpërndarjen e parave për ish të përndjekurit politik. Duhen bërë borderotë, e nëse plotësohen ato nuk ka asnjë pengesë tjetër pastaj", - tha Shehu.
Por, sipas tij, çështja nuk qëndron vetëm te plotësimi i borderove, por edhe te shqyrtimi i dosjeve pranë Ministrisë së Drejtësisë për çdo të përndjekur. Shehu theksoi se duhet krijuar një grup i posaçëm për shqyrtimin e tyre i përbërë nga specialistë. "Nuk ka një njësi që ta menaxhojë mirë këtë proces.
Duhet të krijohet një njësi me persona të posaçëm për të shqyrtuar dosjet", - tha Shehu. Nga ana tjetër, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, theksoi se në mënyrë të vazhdueshme janë hasur vështirësi në dokumentacionin e paraqitur nga të përndjekurit duke u bërë shkak për vonesa. "Që në fillim ka pasur probleme me dokumentacionin prandaj ka pasur vonesa, por unë mendoj se gjatë viteve të fundit ky proces ka pasur përmirësime", - tha Spaho.
Fondi i përcaktuar në buxhetin e këtij viti për dëmshpërblimin e të përndjekurve politik ka qenë 2 miliardë lekë, por deri më tani nuk është shpërndarë asnjë qindarkë. Po ashtu edhe fondi i përcaktuar për vitin 2008 nuk u shpërnda. Këto vonesa në shpërndarjen e fondeve për ish të përndjekurit, funksionarët e ministrisë së Drejtësisë e kanë përligjur me mungesat që, sipas tyre, hasen në dokumentet e ofruara nga subjektet.