Rebelimi i iranianeve

Shamia duhet të vendoset si duhet, së paku flokët duhet të jenë të mbuluara me një shall-vetëm kështu femrat në Iran mund të dalin në rrugë. Shamia që nga viti 1979 është e obligueshme me ligj në këtë shtet-policia morale, forcat e sigurisë dhe udhëheqësit shpirtërorë mbikëqyrin respektimin e këtij detyrimi.
Por se çfarë mendon një iraniane për këtë ligj, këtë ja bëri me dije një udhëheqësi shpirtëror. Në vend se të mbrohet me fjalë, ajo përdori grushtet, siç njoftoi agjencia e lajmeve, Mahr.
“E kam lutur që të mbulojë kokën si duhet”, rrëfen ngjarjen udhëheqësi shpirtëror, Hojatoleslam Ali Beheshti, nga qyteti Shamirzad, në veri të Iranit. Femra, e cila sipas fjalëve të tij nuk ishte e mbuluar si duhet, ju përgjigj me fjalët:”Atëherë mbyllni sytë”.
Ajo me këtë rast jo vetëm që kishte shkelur kodin islamik të veshjes, por e kishte fyer edhe me fjalë, u ankua Beheshti. Pasi që ja kishte tërhequr vërejtjen për herë të dytë, ajo kishte filluar t’i bërtasë, ta kërcënonte dhe e kishte rrëzuar në tokë dhe në fund kishte filluar ta shqelmojë dhe ta godasë me grushte. Sipas agjencisë Mahr, Behteshi për tri ditë u trajtua në një spital, për shkak të lëndimeve të marra.
Fakti se një femër përdorë dhunën dhe atë madje kundër një udhëheqësi shpirtëror, për t’u mbrojtur nga vërejtjet e vazhdueshme në rrugë, është një formë e re e protestës kundër shamisë, thotë gazetarja Golnaz Esfandiari, e cila është rritur në Iran dhe jeton në Washington.
“Femrat diskutojnë shpesh me policinë e moralit, kur nga ato kërkohet në rrugë që të mbulohen më shumë”, thotë Esfandiari. Shumë femra, para se gjithash ato në veri të Teheranit, protestojnë kundër kodit të ashpër të veshjes duke vendosur në kokë shami me shumë ngjyra.
Por Esfandiari asnjëherë më parë nuk kishte dëgjuar për ndonjë rast të ngjashëm, si ai në Shamirzad.
“Ajo që befason është fakti se lajmi është kumtuar nga një agjenci, e cila më tutje theksoi se nuk është ky një rast i izoluar. Zakonisht, për raste të tilla nuk dëgjojmë nga mediet shtetërore, por nga propaganda gojë me gojë”, thotë ajo.
Në lajmin e agjencisë madje thuhet se janë sulmuar tre udhëheqës shpirtërorë, të cilët përmenden me emra. Në mesin e tyre ishte edhe një përfaqësues i udhëheqësit shpirtëror të Iranit, Ajatollah Ali Khamnei.
“Ata u sulmuan, kur po kryenin obligimin e tyre religjioz, për të qartësuar se çfarë është e drejtë dhe për të ndaluar atë që është e gabuar”, u theksua në lajmin e agjencisë.
Por pse kjo agjenci befas vendosi të tematizoi sulmet e dhunshme kundër udhëheqësve shpirtërorë? As Esfandiari nuk di të shpjegojë arsyet e vërteta. “Kjo ose ka të bëjë me atë se numri i këtyre rasteve është në rritje, ose me atë se udhëheqësi shpirtëror është lënduar aq rëndë, sa ka dëshiruar të tërheqë vëmendjen e opinionit publik”, thotë Esfandiari.
Vetë Esfandiari kundërshton çdo formë të dhunës, por:”E kuptoj frustrimin, të cilin me gjasë e ka ndier kjo femër. Vetëm paramendoni që për 30 vjet me radhë, sa herë që dilni nga shtëpia, dikush ju tregon se si duhet të visheni. Femrat madje edhe arrestohen, për shkak se tregojnë flokët apo për faktin se kanë vendosur buzëkuq”.
Në Iran nuk mund të gjesh pothuajse asnjë femër, e cila së paku një herë nuk është kritikuar për veshjen e saj në rrugë.
Para se gjithash gjatë muajve të verës kontrolli është më i ashpër, thotë Esfandiari. Femrat që vishen në “mënyrë të gabuar” ndalen në rrugë, atyre ju tërhiqet vërejtja dhe shpesh ka raste të dhunës kundër femrave dhe të arrestimeve të tyre.
Se cilat do të jenë pasojat për femrën në Shamirzad, e cila sulmoi udhëheqësin shpirtëror, kjo mbetet e paqartë. I sulmuari nuk ka ngritur padi, edhe përkundër faktit se “kishte përjetuar ditën më të rëndë të jetës së tij”, siç theksoi agjencia Mehr. Megjithatë, agjencia theksoi se rasti po hetohet nga një gjykatë, ndërsa prokuroria ka theksuar se bëhet këtu fjalë për një “turpërim publik”.
Ky rast për Esfandiarin dëshmon para se gjithash për një gjë: mungesën e barazisë mes femrave dhe meshkujve në Iran. “Regjimi ka 30 vjet që ka përdorur dhunën kundër femrave, askush nuk ankohet për këtë, askush nuk është arrestuar”, thotë ajo.