E Shtunë, 31 Tetor 2026

Butani shqyrton njohjen e Kosovës

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, është duke qëndruar në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’i përcjellë nga afër punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Në ditën e parë të qëndrimit në New York, zëvendëskryeministri Pacolli i shoqëruar edhe nga konsullja e nderit e Republikës së Kosovës në Tajlandë, princesha Mom Luang Rajadarasi, është takuar me përfaqësuesin e përhershëm të Mbretërisë së Butanit në OKB, Lhatu Wangchuk.

Pacolli e njoftoi përfaqësuesin e Butanit, me proceset në të cilat ka kaluar Kosova, veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë me 2008. “Ne jemi një vend që kemi kaluar nëpër një periudhë të vështirë, praktikisht Serbia ka ushtruar gjenocid ndaj nesh në periudhën e viteve 90-ta. Pas intervenimit të NATO-s, Kosova konform udhëzimeve të bashkësisë ndërkombëtare, ka ardhur deri tek shpallja e pavarësisë. Gjithashtu, konform planit të të dërguarit të OKB-së, z.Ahtisari ne kemi shpallur pavarësinë duke garantuar respektim të plotë të të drejtave të minoriteve. Edhe GJND-ja vlerësoi se Kosova me shpalljen e pavarësisë nuk ka rënë ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë zëvendëskryeministri Pacolli, duke ripërsëritur kërkesën për njohjen e Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër përfaqësuesi i përhershëm i mbretërisë së Butanit, Wangchuk, i konfirmoi zëvendëskryeministrit Pacolli që shteti i tij është duke e studiuar çështjen e Kosovës. Në këtë kontekst, Wangchok ka thënë se për grumbullimin e sa më shumë informative është shumë i mirëseardhur edhe takimi që do të zhvillohet në ditët e ardhshme ndërmjet zëvendëskryeministrit Pacolli dhe ministrit të punëve të jashtme të Butanit, që udhëheq delegacionin e këtij shteti gjatë samitit në OKB.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›