E Diel, 1 Nëntor 2026

Recetat bajate ala-Meta

Receta e ditës, si të mos mjaftonte teta Tefta, kësaj here na vjen nga LSI, ose nga Iliri, socialisti lëvizës, që në gatimin e fundit kishte planifikuar recetën më origjinale. Kjo ishte: shfrytëzojmë "aksidentin"e dëshmitarit kryesor në gjyqin e Gërdecit për të rifutur në lojë partinë, duke kërkuar që në zgjedhje të shkohet me kodin ekzistues.

Më pas, pasi të kemi pritur pak, shkojmë e bëjmë një takim me partitë opozitare e organizata dhe biem dakord që të dalim në një marshim qytetar, marshim ky i organizuar fill pasi një qytetar pati fatin e keq të besonte se Shqipëria është një vend si gjithë të tjerët, me institucione që mbrojnë drejtësinë, por e gjeti veten “vetëm”, në mes të maleve të Shqipërisë.

Mirë atëherë! Në dukje plani ecën mirë. Pasi marrim takimin hedhim dhe kërkesën në tregun e bisedës e atëherë pritet që të vlojë… Meqenëse kërkesa refuzohet nga ata që përbëjnë grupin e protestës, shohim që të shtojmë tensionin aty nga fundi, me ca banderola e parulla, që të arrijmë njëherazi edhe shpërqendrimin e vëmendjes, edhe mospërfilljen jo vetëm të Ramës, por të të gjithë subjekteve që organizonin protestën. Kaq për çorbën që gatuhet në ditën e Marshimit të Madh.

Z.Meta “e harroi” parimin e respektimit të “qytetarëve pa ngjyra”, duke dhënë një dëshmi tjetër, që është i gatshëm ta djegë jorganin për një plesht, kur në lojë është përfitimi personal.

E kotë të përsërisim se ky marsh qytetar, kishte për bazë vetëm dhe ekskluzivisht qytetarët. Mesazhi i lirisë e drejtësisë që do jepej, duhej të dilte në pah më shumë se sloganet e partive apo organizatave pjesëmarrëse.

“Duke qenë se LSI, është parti tregtie, nuk e kishte hallin që të kundërshtonte Berishën se atë atje e ka, por duke qenë se ata njerëz s’kanë për t’i mbledhur kurrë të gjithë bashkë, atëherë bënë një testim të tregut, duke nxjerrë disa parruga në formatin e lulëkuqeve mbi mure. Në mitingun tjetër apo marshimin quajeni si të doni, LSI pritet të dalë me promocione biznesi(!) Në këtë mënyrë mund të joshin edhe të kamurit pranë partisë, që të vazhdojnë të kontribuojnë me “cash”, në vazhdimësinë e kësaj ideje kaq të madhe socialiste për integrim, ndërkohë që ne do duhet të presim integrimin nëpërmjet “idesë socialiste” të Ilir Metës! Të gjithë qytetarët do të luten që planetët të rrotullohen, në një formë të caktuar, që të arrihet integrimi i Shqipërisë dhe për më shumë, integrimi i Ilir Metës brenda qytetarëve shqiptarë, veçmas atyre të majtë, që duke parë sjelljen e së premtes kuptojnë se në fakt, ky integrim, është shumë larg...

Po mos u epni! Shpresa ka akoma. Ditën e premte, fituan shqiptarët, por humbën organizatorët. Ndërkohë që populli kishte dalë në rrugë, për të marshuar në mënyrë paqësore në mbrojtjen e lirisë së tyre, për të mbrojtur një drejtësi që përherë e më shumë po bëhet padrejtësi.

Aty, në radhët e para të marshimit njerëzor, ata që duhet të ishin organizatorët e masave, u bënë të ç’organizuarit e mëdhenj. Në vend që ata të cilët ishin mbrapa turmës të shihnin një simbol te pjesa që ecte përpara, pra simbolin e qytetarisë, ajo që po ndodhte në krye ishte simboli më shkarravinë. Ndaj populli vendosi përnjëherë mos bënte rolin e deleve, por liderin… Ata ecën në qetësinë fisnike të një populli europian, ndërkohë që para syve të tyre zhvillohej shfaqja personale e parullosjes.

Kur të bëhet marshimi tjetër, dhe kur të duhet që të dalin qytetarët, atëherë them që t’i lemë të lirë, e ata që organizojnë të kenë mirësinë të rrinë nga fundi.

Kështu që lërini qytetarët të lirë, lërini e mos u vini etiketa që s’i meritojnë. Mos i fusni nëpër kafaze logosh se ata që ishin të premten në shesh janë qytetarë të lirë, që marshuan për lirinë, e nuk ka as qeveri e as logo që t’i fusë në kafazë. Ulini parullat herën tjetër, e më pas ecni në qetësi edhe ju si qytetarë. Paqja e qetësia intelektuale qoftë mbi ju, që vetëm rastësisht po na “drejtoni” në këtë Shqipërinë tonë në tranzicion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›