E Diel, 1 Nëntor 2026

Lidhja e Gërdecit me trafikun e fishekëve

Ish-punëtori i fabrikës së vdekjes rrëfen natën e 19 nëntorit, kur punëtorët e Gërdecit pastruan zonën me fishekë

Andi Belliu: Për t’i shpëtuar gazetarit të NYTimes, fishekët e Rinasit u sollën natën në Gërdec

TIRANË- Kosta Trebicka ishte dëshmitari kyç i trafikut të armëve drejt Afganistanit, apo edhe i tragjedisë së Gërdecit? Megjithëse ka pasur mjaft përpjekje për t’i prezantuar veçmas këto dy ngjarje të rënda në opinionin publik, faktet dhe dëshmitë tregojnë se të dyja këto histori të errëta korrupsioni janë të lidhura direkt me njëra-tjetrën dhe jo vetëm nga protagonistët. Të njëjtët persona të implikuar në trafikun e armëve drejt Afganistanit ngritën fabrikën e vdekjes në Gërdec, të cilën e përdorën jo vetëm për demontim, por edhe për trafik fishekësh. Andi Belliu që sot drejton shoqatën “Punonjësit e Gërdecit” dëshmon sesi punëtorët e Gërdecit pastruan zonën e paketimit të fishekëve në Rinas, për t’i shpëtuar gazetarit të prestigjozes “Thë New York Times” më 19 nëntor të vitit 2007.

Zoti Belliu, cila ishte puna juaj në Gërdec?

Puna ime në Gërdec ka qenë si punëtor në makineritë e demontimit. Ne demontonim tre lloje kalibra fishekësh aty. Kalibrin 14.5 mm, 12.7 mm dhe kalibrin 7.62 mm.

Mund t’i shpjegoni pak më konkretisht llojin e këtyre kalibrave?

Kalibri 14.5 quhen fishekët kundërajror. Kalibri 12.7 është i famshëm për mitrolozët e rëndë që njihen dhe me emrin 12.7, ndërsa kalibri tjetër pra 7.62 mmpërdoret për mitroloz të lehtë dhe për kallashnikov. Një tjetër punë e imja ka patur lidhje me një sharrë, me të cilën hapja arkat metalike të cilat i merrnin gratë dhe i zhvendosnin në arka druri, pastaj nga arkat e drurit ato kalonin tek makineritë e demontimit.

Zoti Belliu, ju jeni në dijeni të skandalit të bujshëm të trafikimit të fishekëve kinezë, për të cilën ka shkruar edhe ”Neë York Times”. Jam kurioz të di se si trajtoheshin ngarkesat me fishekë model 56 kur mbërrinin në Gërdec?

Sapo në Gërdec mbërrinin kutitë me fishekë model 56, ato veçoheshin nga ngarkesat e tjera. Këto lloj fishekësh nuk demontoheshin. Ato transportoheshin drejt aeroportit të Rinasit.

Ju më keni thënë paraprakisht se keni qenë dëshmitar i natës së 19 nëntorit 2007. Për shumëkënd kjo natë ka lidhje me urdhrin e shumëdiskutuar të ish- ministrit Mediu për të fshehur fishekët kinezë nga sytë e gazetarit të “Nju Jork Tajms”. Ju keni qenë në Gërdec atë natë, mund të më thoni se çfarë ndodhi?

Kemi qenë në punë 10 vetë, ishim turni i tretë. Filluam punë nga ora 23:00. Sa filluam punën, Dritan Minxolli, drejtori tekniku çua shumë i shqetësuar nga gjumi. I tha përgjegjësit , Vangjelit, ose siç e ka emrin e saktë Veiz Muçës.

Më falni kush ka qenë Veiz Muça?

Veiz Muça ka qenë përgjegjës i punëtorëve. Ne e njihnim me emrin Vangjel. Pasi Artani urdhëroi Veiz Muçën dhe menjëherë u ndërpre aktiviteti normal i punës atë natë. U çua një kamion para hyrjes së kapanonit.

Ky ishte kamion i ushtrisë?

Jo, ishte kamion civil, me targa të Durrësit më duket. Kamioni ishte blu dhe kishte pak xhamin e krisur përpara. Ka qenë një natë shumë e ftohtë dhe mbaj mend se xhami përpara ishte i ngrirë dhe nuk i punonin fshirëset. Kështu, Vangjeli shkoi dhe mori një kovë me ujë të nxehtë dhe ia hodhi xhamit. Mbaj mend një moment kur Dritan Minxolli i tha Vangjelit me urgjencë që të bënte gjithë punëtorët gati, për të qenë i përgatitur kur ai të kthehej nga Rinasi për të shkarkuar materialet. Atë natë Minxolli ka bërë tre rrugë.

Pra kamioni ka bërë tre rrugë?

Po dhe kamioni i fundit ka mbaruar shkarkimin rreth orës 6 të mëngjesit.

Çfarë sillnin kamionat?

Shkarkonin kuti metalike me mbishkrime kineze.

Po ju çfarë bënit? I sistemonit?

Jo, ne thjesht i shkarkonim nga kamioni, kjo ishte puna jonë. Ishin nga këto kutitë me fishekë model 56. Unë ngaqë kisha punuar tek sharra, i njihja.

Tek kutitë ishin bërë përpjekje për t’i zhgarravitur, apo lexoheshin qartë mbishkrimet kineze?

Jo lexoheshin qartë, përveç disave që ishin shumë të ndryshkura. Disa ishin kuti ngjyrë jeshile të errëta, disa ishin ngjyrë gri.

Thatë që kjo nuk ishte një procedurë e zakonshme pune. Ju vetë punëtorët si e komentuat me njëri -tjetrin?

Dukej që ishte një procedurë e veçantë, pasi procedura rutinë e punës ishin makineritë.

Pas kësaj procedure ekstra, a ndodhi që një gjë e tillë të përsëritej?

Jo nuk ka ndodhur më herë tjetër. Të paktën sa kam qenë unë jo.

Zoti Belliu, ju më thatë paraprakisht që keni shkuar vullnetar të dëshmoni në Prokurorinë e Tiranës të dëshmoni dhe nuk ju kanë pranuar, apo jo? E konfirmoni?

Po patjetër, jam paraqitur për të thënë gjithçka dija, por disa prokurorë na thanë se nuk kishin nevojë për dëshmitë tona.

Veli Xhihani: Muhamet Hoxha ishte përgjegjësi i numërimit të municioneve

"Baxhanaku i Berishës, përgjegjës në Gërdec"

TIRANË- Një tjetër punëtor i Gërdecit, Veli Xhihani, ka pohuar se baxhanaku i kryeministrit Berisha, Muhamet Hoxha, ishte përgjegjësi i inventarizimit të arkave me fishekë.

Ju zoti Xhihani keni qenë punëtor i thjeshtë apo jo?

Po ne merrnim arkat, i sistemonim. Domethënë kur vinin makinat, ne i shkarkonim me radhë.

Sa vetë ishit?

Ishim gjithsej 12 veta. Katër ngarkonin, katër sistemonin, katër shkarkonin.

A mund të na thoni se kush ishte përgjegjësi kryesor, kush merrej me numërimin, me inventarizimin e këtyre arkave të Gërdecit, apo si vazhdonte procedura?

Po me ardhjen e makinave dhe municioneve merrej ky Muhamet Hoxha.

Çfarë bënte ky Muhamet Hoxha më konkretisht?

Maste kalibrat e këtyre predhave që vinin edhe merrte në dorëzim dhe shënonte sesa material vinte.

Pastaj si vazhdonte procedura?

Pastaj procedura vazhdonte me Veiz Muçën. Veiz Muça qe përgjegjësi i punëtorëve, ai bënte një organizim shumë të madh. Puna qe shumë e lodhshme.

Sa ishte paga juaj personale?

Po paga ime personale ka qenë 1200 lekë për tetë orë. Kurse ata që ishin të predhave, nëse demontonin më shumë se 150 predha u shtohej kuota ditore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›