E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reduktimi i energjisë në banesa

05/04/2011  Projekti i Co-Plan

Reduktimi i energjisë së përdorur në banesa është një sfidat e ardhshme për shoqërinë shqiptare. Ligji “Për Administrimin e Bashkëpronësisë në Ndërtesat e Banimit” u miratua në kuadër të hartimit të politikave të strehimit, me iniciativë të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit (MPPT). IFC në bashkëpunim me MPPT po punon dhe ka propozuar aktet e tjera nënligjore për zbatimin e ligjit të bashkëpronësisë, i cili ka për qëllim rregullimin e marrëdhënieve juridike në fushën e administrimit të bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit. Pas miratimit të ligjit për bashkëpronësinë dhe akteve nënligjore për zbatimin e saj Co-PLAN organizon tryezën kombëtare “Impakti në mjedis i politikave të strehimit", partneriteti shoqëri civile - pushtet vendor drejt Administrimit të Bashkëpronësisë në ndërtesat e banimit. Co-PLAN në bashkëpunim me Bashkinë e Fierit, me financim të Komunitetit Evropian dhe fondeve CARDS po i japin fund projektit për reduktimin e energjisë së përdorur në banesa. Ky aktivitet është në vazhdën e kontributit që Co - PLAN është duke dhënë në këtë fushë. Si një bashkudhëtar në iniciativën e MPPT, nëpërmjet ndërtimit dhe facilitimit të tryezave të debateve, Co-PLAN ka synuar të sjellë fillimisht një dimension mjaft të rëndësishëm atë të informimit të të drejtave dhe detyrimeve që kanë palët për të bërë të mundur administrimin e bashkëpronësisë, më pas vlerësimin e kapaciteteve dhe mundësive, që ekzistojnë për ta aplikuar me sukses këtë iniciativë. Së fundi Co-PLAN sjell në fokus ndërtimin e modeleve të para praktike të mirëmbajtjes së hapësirave të përbashkëta, të cilat ofrojnë dhe testojnë alternativat për zbatimin me sukses të kësaj iniciative. Ky takim synon të prezantojë modelin e krijuar në Bashkinë e Fierit për të mirëmbajtur hapësirat e përbashkëta nëpërmjet restaurimit energjetik të ndërtesës dhe më pas të përhapë në një shkallë më të gjerë kombëtare instrumentet, që do t’i vinin në ndihmë si njësive të qeverisjes vendore për të informuar, ndërtuar kapacitete dhe zbatuar me sukses këtë ligj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›