E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ref. Zgjedhore, Rama: Drafti, lehtësisht i përmbyllshëm pa tejkaluar afatet

TIRANE - Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, kryesocialisti Rama i kushtoi rëndësi punës për reformën zgjedhore. Shefi i opozitës vlerësoi se ekzistojnë të gjitha mundësitë për t’i dhënë zgjidhje pikave kyçe, në mënyrë që drafti të përmbyllet në kohë, përpara zgjedhjes së presidentit të ri, siç kërkoi edhe eurokomisioneri Fule gjatë vizitës së tij në Tiranë.

"Në procesin e Reformës Zgjedhore kemi pasur parasysh të gjitha gjetjet dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR. Problemet kryesore të nxjerra nga eksperiencat e vështira të zgjedhjeve të shkuara, të 2009-ës dhe të 8 majit në Tiranë, janë të përmbledhura në 5 pika: Listat, identifikimi, numërimi, administrimi animimi”- u shpreh Rama, duke nënvizuar se për të gjitha këto pika zgjidhja është tashmë në tavolinën e komisionit të reformës zgjedhore.

Rama deklaroi se në diskutime janë bërë hapa konkrete për sa i përket administrimit të listave, ndërsa theksoi qëndrimin e opozitës për të kërkuar riformulimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Në procesin e ankimimit kemi ende diskutime por jemi të hapur dhe besojmë se edhe këtu zgjidhja është në tavolinë.”- tha ai. 

Në lidhje me numërimin e votave, Rama u shpreh: “Ne kemi kërkuar numërimin elektronik. Ekspertët e ODIHR-it kanë shprehur një serë rezervash të karakterit teknik, të argumentuar mbi bazën e eksperiencës dhe këndvështrimit të ODIHR-it. Kompromisi është i mundshëm dhe uroj që të realizohet, për të realizuar reformë të plotë.”

Më tej, kreu i opozitës u shpreh i gatshëm për të diskutuar edhe në lidhje me kërkesën e partive të vogla për mundësinë e korrektimit të sistemit, por sipas tij, ky diskutim mund të presë.

“Ka një angazhim politik të të gjitha palëve për të diskutuar mbi mundësinë e korrektimit të sistemit, në funksion të një barazie të arsyeshme të votës dhe përmbushjes së kërkesave legjitime të të gjitha partive të vogla. Jemi gati për diskutim, por ky diskutim ka kohë. Nuk ka kohë për përmbylljen e paketës së rregullave të lojës për zgjedhjet e ardhshme, në një kohë që është lehtësisht i përmbyllshëm si draft pa tejkaluar afatet”- deklaroi Rama.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›