E Diel, 1 Nëntor 2026

Referencat, dogana “sherr” me biznesin



nertila maho

çmimet e referencës janë bërë shkak i një debati të fortë mes Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave Endri Pema dhe bizneseve anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Ndryshimet në çmime për produktet e njëjta, zbatimi gabim i çmimeve të referencës që në disa raste janë më të larta se çmimet e tregut kanë bërë që bizneset të kërkojnë shpjegime nga kreu i Doganave. Sipas njoftimit të Dhomës, vetë Pema gjatë debatit përcolli mesazhin se institucioni që ai drejton përgjigjet me të njëjtën monedhë.”S’është faji i doganave që zbaton çmime të ndryshme reference. Nëse ju abuzoni me faturat dhe nuk jeni formal me dokumentet tuaja edhe ne nuk kemi si të jemi formal” u shpreh Pema duke lënë kështu të kuptohet se shteti vepron njëlloj si kompanitë e papërgjegjshme. Pyetjet që kanë shfaqur biznese të ndryshëm lidhur me fenomenin e abuzimit në dogana kreu Endri Pema i ka adresuar për në zyrën e tij në ndjekje të burokracive duke e kthyer kështu situatën ekstremist serioze. Ai ka pranuar se abuzime me rastet e çmimeve të referencës ka vetëm për produktet elektronike të cilat janë dukshëm mbi vlerat e tregut, por nga biznesi kanë reaguar edhe profile të tjerë. Sipas atyre që tregtojnë produkte të mishit, bananes, cigareve, përveçse nuk gjendet barazi në çmim ka dhe vlera më të larta se ajo që parashikon bursa apo vlerat e tregut duke i rritur ndjeshëm kostot e tyre dhe duke i përjashtuar kështu nga tregu. “Me këtë lloj bisede ne po humbasim kohë, futemi në një rreth vicioz dhe unë nuk kam ndër mend t’i përgjigjem, por vetëm mund t’ju them se ju jeni të detyruar të na drejtoheni me shkrim për çdo pakënaqësi që keni dhe ne do t’ju japim përgjigje” është shprehur Pema duke anashkaluar çështjen. Ndaj Dhomës Amerikane të Tregtisë kreu i Doganave ka adresuar akuzën e nënkuptuar se është thirrur për t’u vendosur përballë problemeve individuale të anëtarëve të kësaj dhome. Në këtë pikë ekspertja e financës Adriana Berberi i ka shpjeguar se në fakt Dhoma synonte që përmes këtij takimi të shtronte për zgjidhje çështje themelore që në fund të fundit ndihmojnë në përmirësimin e raporteve biznes -administratë për të cilën flitet shumë, dhe të ndihmojë të dyja palët të bëjnë punën e tyre.
Pema sfidë biznesit
Kreu i Doganave nuk ka preferuar që të merret me pyetjet konkrete që kanë ngritur bizneset prezent në takim duke e kaluar situatën në kahun tjetër. Ai ka sfiduar duke kërkuar organizmin e kontrolleve “blic” tek kompanitë anëtare të Dhomës Amerikane të Tregtisë për të zbuluar se sa të rregullt janë përpara ligjit. Kjo në fakt ka rezultuar me dy iniciativa vullnetare të biznesit të cilat u shprehën “pro” këtij kontrolli, por që në fakt Pema nuk i është përgjigjur pozitivisht duke deklaruar se kompanitë do të përzgjidhen prej tij dhe jo në formë vullnetare. Ndërkohë që akuzave për zbatim abuziv të procedurave tatimore kreu Pema i është përgjigjur me shpjegimin e hollësishëm ligjor për funksionimin e strukturave të institucionit që drejton. Ai ka informuar se zbatimi i procedurës ligjore garantohet nga dy zyra të drejtorisë së Doganave ajo e Analizës së Sistemit dhe Zyra e Vlerësimit të cilat bëjnë monitorime dhe vlerësime periodike për të gjitha pikat doganore. Pavarësisht kësaj duket se biznesi prezent nuk ka dalë aspak i kënaqur nga takimi me drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Endri Pema sepse shqetësimet e ngritura nuk morën përgjigje konkrete. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura ndërkohë që burime për gazetën shprehen se komunikimi mes biznesit dhe kreut të Doganave nuk ka qenë aspak miqësor. Dhoma Amerikane e Tregtisë ka zhvilluar këtë aktivitet në kuadër të takimeve të zakonshme që organizon shpesh me krerë të administratës. Pak kohë më parë i ftuar në debat me biznesin ka qenë edhe kreu i Tatimeve Artur Papajani, takim që u zhvillua i hapur për mediat.

çmimi i referencës

Aplikimi i tatimeve nga ana e doganave për një produkt të caktuar bazohet në çmimin e referencës. Drejtoria e Doganave ka një procedurë të zbatimit të çmimeve të referencës dhe mbështetet në vlerat e tregut, çmimet e bursës dhe analizave të herë pas hershme që i bëhet çmimit të produktit. Në fakt “referencat” ndryshohen herë pas here sipas lëvizjeve në tregje. Vendosja e kësaj forme standarde për çmimet aplikohet për të shmangur abuzimet që mund të bëhen nga ana e tregtarëve me faturat dhe kontratat e blerjes së mallrave të ndryshëm. Doganat në ndryshim nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk njohin faturat e lëshuara për produktin e blerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›