E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Çahet” maxhoranca në komisionin e ekonomisë



Komisioni i Ekonomisë ka shënuar dje pas shumë kohësh një votë “kundër”. Deputeti Shrefedin Shehu nuk pranoi të miratonte marrëveshjen me Bankën gjermane KFW për financimin e projektit për kanalizimet e qytetit të Pogradecit, që u diskutua në komision. Sipas tij nuk është aspak korrekte që projekteve ju rriten kostot gjatë rrugës së zbatimit. “Propozimi im është se kjo që po diskutojmë sot nuk plotëson kriteret e projektligjit sepse është grand, ne nuk justifikojmë rritjet e kostove të projekteve gjatë zbatimit të tyre nuk përcaktojmë kostot apo financimet që bën Qeveria të cilat lidhen me financime të huaja pasi këto janë çështje të buletinit të ministrive” u shpreh Shehu. Ky reagim erdhi në kohën kur para komisionit u paraqit një shtesë e një marrëveshjeje ekzistuese që nga viti 2007 për strategjinë sektoriale të Ujësjellës-Kanalizimeve. Drejtori i Huamarrjes pranë Ministrisë së Financave i cili shpjegoi detajet për këtë grand justifikoi këtë “shtesë” me faktin që për zbatimin e projektit kishte një hendek prej 1.7 milion eurosh që duhej plotësuar. “Pas bisedimeve me Qeverinë gjermane dhe KFW-në si përfaqësuese e saj ramë dakord që të akordonin një grand prej 800 mijë euro dhe pjesën tjetër ta mbulonim me buxhetin e shtetit, rreth 940 mijë euro. Duke u bazuar në marrëveshjen e rishikuar edhe afati i disbursimit përfundimtar u shty deri në fund të vitit 2011”, u shpreh Ibraj. Sipas tij ky fond prej 800 mijë eurosh u rialokua nga KFW pa ndryshuar kushtet dhe termat teknikë.
“Ministrat të vinë në Komision”
Deputeti Shrefedin Shehu ka ngritur dje edhe një tjetër shqetësim. Duke qenë se në Komisionin e Ekonomisë për të dhënë detaje mbi marrëveshjen ishin përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve, ai kërkoi prezencën e ministrave përkatës. “Këtu duhet të vinë ministra dhe jo të dërgojnë nëpunës që nuk kanë autoritet të mjaftueshëm të diskutojnë dhe të përgjigjen” u shpreh deputeti Shehu. Ai theksoi se kjo praktikë që në komision mungojnë autoritetet që duhen është e gabuar.
Ligji për procedurat tatimore
Ligji për procedurat tatimore ka qenë çështja e dytë rreth së cilës diskutoi dje Komisioni i Ekonomisë. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave Arjana Dyrmishi dha detaje për krijimin e Avokatit të Tatimpaguesve dhe Këshillin Konsultativ të Tatimeve. Ndryshimin mes Këshillit Konsultativ të Biznesit dhe atij Tatimor Dyrmishi e përkufizoi tek funksioni. “Këshilli Konsultativ i Biznesit kryesisht diskuton politikat fiskale kurse ai Tatimor do merret me problemet që hasen nga tatimpaguesit. Deputeti Shrefedin Shehu në këtë diskutim kërkoi shpjegime për dy pika që lidhen me ndryshimin në ligj dhe financimet. Sipas tij ligji për procedurat tatimore është një ligj relativisht i ri dhe në këtë aspekt shprehu rezerva se pse ndryshimet janë bërë më parë. Ndërkohë që një pikë tjetër debati u bë edhe çështja e financimit të këshillit. “Duhet përcaktuar qartë se kush do ta financojë këtë organ sepse këtu është lënë e hapur, duhet ditur nëse do jetë buxheti apo biznesi” tha Shehu. Komisioni vijoi me shqyrtimin nen për nen të këtij projektligji duke bërë edhe propozimet përkatëse deri në miratim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›