Kuliçaj kërkon dosjet e trafikantëve
TIRANE - Hetimi i pronave e pasurive të krijuara nga fitimet e krimit të organizuar ishte në qendër të diskutimeve mes zv.drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Agron Kuliçi dhe presidentit të Policisë Federale Kriminale Gjermane, Jorg Ziercke. Në një takim të zhvilluar dje në Tiranë, përfaqësuesit e Policisë Shqiptare dhe asaj Gjermane kanë premtuar rritjen e bashkëpunimit në shkëmbimin e informacioneve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe trafiqet. Zyrtari i lartë i Policisë gjermane Jorg Ziercke zhvilloi dje një bisedë pune më zv.drejtorin për hetimin e Krimeve në Policinë shqiptare Agrion Kuliçaj. Biseda e dy drejtuesve të policisë është fokusuar në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve. Kuliçaj ka shprehur interes për vazhdimin e mëtejshëm të shkëmbimit të informacionit mes Policisë shqiptare dhe asaj gjermane në fushën e hetimit të krimit financiar, krimit kompjuterik, dhe trafiqeve të paligjshme. Duke u ndalur në miratimin e ligjit, “Antimafia”, përfaqësuesi i Policisë shqiptare, Agron Kuliçaj, ka pohuar domosdoshmërinë e shkëmbimit të të dhënave kriminale për të gjithë shtetasit shqiptarë që janë dënuar në Gjermani për veprat e krimit të organizuar. Këto të dhëna janë të nevojshme për Policinë shqiptare, pasi personat e arrestuar, pas marrjes së dënimit, ligji lejon që të hetohen pronat dhe pasuritë e tyre të krijuara në rrugë të paligjshme në Shqipëri. Presidenti i Policisë Federale Kriminale Gjermane, Jorg Ziercke, ka garantuar rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbim më të madh të informacionit në lidhje me veprimtaritë kriminale. “Kam mbetur i impresionuar dhe me përshtypje shumë pozitive nga kjo vizitë, qoftë për teknikat që ju përdorni, ashtu edhe për standardet e larta që keni arritur. Ju u shprehët se baza për bashkëpunimin policor është besimi dhe dua ta mbështes plotësisht këtë mendim tuajin”, deklaroi përfaqësuesi i Policisë gjermane.