Vodhën kromin në minierë, 8 vetë arrestohen në Bulqizë
BULQIZE/ HASAN PASHA
Tetë persona të arrestuar, një në kërkim dhe 1 mijë ton krom i sekuestruar. Ky është bilanci i aksionit të zhvilluar nga policia e Bulqizës, pas plagosjes rëndë të 22-vjeçarit, Edison Duriçi në një galeri pasditen e së hënës. I riu nga Bulqiza dhe persona të tjerë kanë hyrë në minierën, që ndodhet në skajin jugor të firmës "Albanian Crom (ACR) dhe po nxirrnin krom për ta shitur më pas. Gjatë punës në galeri shembja e një masivi kromi dhe inertesh aksidentoi rëndë Duriçin, i cili ndodhet në gjendje kritike në Spitalin Ushtarak. Pikërisht kjo ngjarje ka bërë që policia lokale dhe Sektori i Krimit Ekonomik pranë Policisë së Dibrës, të hetojë gjatë gjithë ditës së djeshme për të zbardhur shkaqet që çuan në aksidentimin e 22-vjeçarit. Nga hetimet e para rezultoi se Duriçi dhe shumë persona të tjerë, kryesisht banorë të qytetit të Bulqizës, në mënyrë të organizuar, shfrytëzonin galeritë e minierës kryesore për të nxjerrë dhe shitur krom në rrugë të paligjshme. Ky fakt i është bërë i ditur policisë së Bulqizës prej kohësh nga drejtuesit zyrtarë të firmës ACR. Rreth orës 18:30, policia bëri të ditur arrestimin në flagrancë të shtetasit Destan Gjeta 31 vjeç, Rinor Hoxha 20 vjeç, Gentian Melani 26 vjeç, Avni Sulku 20 vjeç, Redi çekiçi 23 vjeç, Andi Melani 33 vjeç, Rami Bici 27 vjeç, Nuredin Jangulli 27 vjeç, të gjithë banorë të qytetit. "Arrestimi është bërë sepse më 29 mars kanë vjedhur rreth 1000 ton krom, me një vlerë prej 40 milionë lekësh. Vjedhja e kromit është bërë në bashkëpunim midis tyre, në zonën D, te galeria 48, e marrë me koncesion nga kompania Albanian Krom. Në kërkim është shpallur Ilirian Jangulli, 21 vjeç, lindur në Bulqizë dhe banues në Tiranë", u shprehën burimet zyrtare të policisë, e cila bllokoi dhe sasinë e kromit shumë pranë minierës. Sipas tyre, ndërsa po punohej te kjo galeri prej të arrestuarve dhe të lënduarit Edison Duriçit, ndodhi dhe aksidenti. Oficerë të policisë gjyqësore po punojnë për zbardhjen e skemës së vjedhjes, grumbullimit të kromit nga individë të palicensuar. Javë më parë, policia njoftoi se kishte kryer një aksion "blic" për kontrollin e subjekteve minerare që punojnë pa licencë. Ndërkohë nuk munguan as përplasjet me armë për zona influence në këtë zonë. Përfaqësues të firmës austriake falënderuan mbrëmë policinë e qarkut të Dibrës, që ndërhyri për bllokimin e kromit të vjedhur dhe ka garantuar se asnjë individ apo subjekt nuk do të lejohet të vjedhë kromin e kësaj firme.