Referendumi, deputetë të PASOK-ut kundër Papandreut

Qeveria greke duket se po përballet me rënien e saj, pasi një grup deputetësh të partisë PASOK, kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Jorgos Papandreu. Kabineti qeveritar grek votoi pro thirrjes së kryeministrit Jorgos Papandreu për të mbajtur një referendum për planin e shpëtimit, sa më shpejt të jetë e mundur, raportoi rrjeti CNN në orët e para të mëngjesit. Papandreu, u tha ministrave në mbledhjen e mbyllur në kabinet, se referendumi do të jetë një mandat i qartë dhe një mesazh i qartë brenda dhe jashtë Greqisë, rreth rrugës evropiane të vendit dhe pjesëmarrjes së tij në euro.Votimi ishte unanim, edhe pse disa prej ministrave kishin shprehur kritika para se propozimi të hidhej në diskutim.“Vendi duhet të ketë sa më shpejt në Qeveri legjitime, dhe plan për ngritjen kombëtare”, kërkuan gjashtë deputetët e partisë në pushtet PASOK në një letër drejtuar liderit dhe kryeministrit Papandreu. Të gjashtë deputetët janë krerë më të lartë të partisë PASOK, ndërsa njihen edhe si bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-kryeministrit Kostas Simitis. Një grup deputetësh të PASOK kërkuan Qeveri uniteti dhe zgjedhje të parakohshme, ndërsa deputetja e PASOK, Milena Apostolaki u largua nga kjo parti, duke zvogëluar në 152 numrin e deputetëve të maxhorancës nga 300 deputetët e Parlamentit të Greqisë. Qeveria e Papandreut po përballet me ulje të klasifikimit të saj pas zbatimit të masave për kursim që zvogëluan rrogat, rritën tatimet dhe paralajmëruan zvogëlimin e administratës. Papandreu është duke kërkuar mbështetjen e popullit grek për marrëveshjen e shpëtimit, për të cilën u deshën muaj për ta arritur.