E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi, firmosin Presidentët Meidani e Moisiu dhe shkrimtari Agolli

Emra surprizë në grupin nismëtar që kërkon mbrojtjen e Kushtetutës. Firmosin edhe analisti i njohur Fatos Lubonja dhe Elisa Spiropali e lëvizjes “MJAFT”

Shaban Sulçe
Referendumi për mbrojtjen e Kushtetutës nis me këmbë të mbarë. Në mbështetje të tij shprehen hapur personalitete të rëndësishme jo vetëm të politikës, por edhe të artit, kulturës, botës akademike dhe shoqërisë civile. Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës ka shpallur dje kërkesën për organizimin e referendumit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Bashkëngjitur me këtë kërkesë kanë qenë edhe 20 firmat e para, të cilat përbëjnë grupin nismëtar që kërkon zhvillimin e referendumit. Midis tyre spikasin emrat e dy ish-Presidentëve të Republikës, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, të cilët nuk e kanë harruar detyrën që ushtruan, për të ruajtur dhe garantuar Kushtetutën, edhe tashmë që nuk janë në drejtimin e shtetit.
Surpriza e madhe ka qenë edhe ajo e emrit të shkrimtarit të famshëm Dritëro Agolli, i cili ka firmosur kërkesën, që ka për qëllim mbrojtjen e Kushtetutës, të cilët në vitin 1998 e votuan po me referendum më shumë se 1 milion shqiptarë. Por surprizat nuk kanë mbaruar me kaq, sepse edhe personalitete të tjera të rëndësishme e kanë firmosur kërkesën për referendum.
Firmëtarët
Pika 1 e nenit 150 të Kushtetutës dhe nenit 126 të Kodit Zgjedhor përcaktohet si një ndër kushtet për fillimin e procedurave të referendumit, krijimin e një grupi nismëtar, prej jo më pak se 12 shtetasish, zgjedhës të regjistruar ne Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve, të cilët i drejtohen me kërkesë për fillimin e procedurës KQZ-së. Firmëtarët e grupit nismëtar kanë qenë 20 dhe surprizat kanë qenë emrat e dy ish-presidentëve Meidani dhe Moisiu, si dhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli. Në mbështetje të referendumit janë shprehur dhe analisti i njohur Fatos Lubonja, përfaqësuesja e lëvizjes “MJAFT”, Elisa Spiropali si dhe personalitete të njohura të politikës dhe shoqërisë civile. Gjithashtu kërkesa është firmosur nga kryetari i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji dhe anëtari i këtij komiteti, Andrea Stefani. Emra të tjerë në këtë listë kanë qenë edhe ato të analistit Frrok Çupi dhe akademikut Alfred Uçi. Kërkesa për referendum ka gjetur mbështetje jo vetëm nga e majta, por edhe nga e djathta. Përveç firmave të përfaqësuesve të LSI-së (Ilir Meta, Spartak Braho e Zabit Brokaj), kryetarit të PAD-së Neritan Ceka, kryetarit të PDS-së (Paskal Milo), nënkryetarit të PSD-së (Engjëll Bejtja) dhe përfaqësuesve të Lëvizjes për Politikë Institucionale në Partinë Socialiste (Petro Koçi, Makbule Çeço dhe Halil Lalaj), kërkesa është firmosur edhe nga kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi. Ndër 20 firmëtarët është edhe emri i deputetit të shkëputur nga PS-ja, tashmë të pavarur, Taulant Dedja. Drejtuesit e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës thanë se listës së grupit nismëtar priten t’i bashkohen edhe emra të tjerë personalitetesh të fushave të ndryshme brenda këtyre 24 orëve, ku pritet që të dorëzohet zyrtarisht kërkesa për referendum Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kërkesa
Përfaqësuesit e Komitetit Kombëtar për Zhvillimin e Referendumit kanë bërë dje publik kërkesën për zhvillimin e referendumit, që pritet ti dorëzohet sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo kërkesë zyrtare përmban të gjitha argumentet ligjore, në të cilat mbështetet nisma për organizimin e referendumit në mbrojtje të Kushtetutës. “Në përmbledhje të sa më sipër, Ju drejtohemi me këtë kërkesë, me besimin se në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të Kodit Zgjedhor, do të inicioni procedurat e zhvillimit të tij, e pas mbledhjes se nënshkrimeve të 50 000 votuesve, do të ndiqni procedurat përkatëse për përcjelljen e kësaj kërkese Gjykatës Kushtetuese”, - thuhet në përfundim të kërkesës zyrtare që Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës do të depozitojë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Deklaratat
Kryetari i Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji, tha se sipas ligjit 20 firmat e grupit nismëtar janë për t’i kërkuar KQZ-së shpërndarjen e formularëve, të cilat do të plotësohen më pas nga të gjithë shqiptarët për të kërkuar referendumin në mbrojtje të Kushtetutës. Kreu i Komitetit shprehu vlerësimin e tij për firmosjen e kësaj kërkese nga dy ish-Presidentët e Republikës, Meidani dhe Moisiu. “Ne sot jemi në një gjendje vërtet shumë të avancuar, pasi kemi konstatuar dhe kemi bashkë me ne sensibilitetin e dy ish-presidentëve, si dhe shumë figurave të shquara të shoqërisë civile, pa diskutuar ata të politikës, të cilët e mendojnë si ne dhe në e mendojmë si ata”, - u shpreh Zheji. Ai tha se kërkesa për referendum do të firmoset nga një numër më i madh se 50 mijë votuesish, pasi të gjithë shqiptarët e kanë kuptuar rëndësinë e mbrojtjes së Kushtetutës dhe demokracisë në Shqipëri. Ndërkohë, anëtari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës tha: “Kërkesa jonë bazohet te kjo Kushtetutë, te ky dokument themeltar i miratuar nga populli vetë me referendum dhe të gjithë mbrojtësit e tezës së shumicës në Parlament, qofshin këta socialistë apo demokratë, juristë të Berishës apo juristë të Ramës, bëjnë një spekulim tepër banal kur thonë se nuk ka të drejtë populli që me referendum të hedhë poshtë një ligj të Parlamentit”.

Lista
1-Rexhep Meidani Ish-President i Republikës
2-Alfred Moisiu Ish-President i Republikës
3-Dritëro Agolli Shkrimtar
4-Ilir Meta Ish-Kryeministër, Kryetar i LSI-së
5-Fatos Lubonja Publiçist
6-Artur Zheji Analist, Kryetar i Komitetit
7-Andrea Stefani Analist
8-Elisa Spiropali Lëvizja “MJAFT”
9-Neritan Ceka Kryetar i PAD
10-Paskal Milo Kryetar i PDS
11-Engjëll Bejtaj Deputet i PSD
12-Petro Koçi Deputet i PS, kreu i LPI
13-Dashamir Shehi Kryetar i LZHK
14-Spartak Braho Deputet i LSI
15-Zabit Brokaj Nënkryetar i LSI
16-Taulant Dedja Deputet i pavarur
17-Makbule Çeço Ish-kryetare e Kuvendit, ish-deputete e PS
18-Frrok Çupi Analist
19-Alfred Uçi Profesor/ Akademik
20-Halil Lalaj Ish-deputet i PS

29 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›