Ilir Meta: “Referendumi është nuk ka arsye të refuzohet”
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka përshëndetur mbështetjen që shumë personalitete të politikës dhe shoqërisë civile i kanë dhënë nismës për organizimin e referendumit.
Meta ka deklaruar se referendumi është një proces i pandalshëm dhe se do të vërë në vend themelin e shtetit shqiptar, Kushtetutën, e cila u nëpërkëmb pas ndryshimeve të errëta që iu bënë asaj nga dy forcat e mëdha gjatë seancës plenare të 21 prillit. Duke folur për kërkesën që Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës depozitoi dje në KQZ, Meta tha: “Kjo kërkesë është nënshkruar nga shumë personalitete të jetës politike, por do të thosha edhe akademike e kulturore, tregon shumë qartë se referendumi është një domosdoshmëri për të zhvilluar dhe për të mbrojtur demokracinë. Një kundërveprim ndaj referendumit, si koncept dhe si një instrument, përmes së cilit sovrani shpreh vullnetin e drejtpërdrejtë është absurd dhe i papranueshëm. Në mënyrë të veçantë, fakti që dy presidentët e periudhës kur Shqipëria ka qenë me këtë Kushtetutë, pra presidenti Meidani dhe presidenti Moisiu kanë nënshkruar, mendoj se është shumë domethënëse. Por edhe fakti që shumë personalitete të tjetra të kulturës, të artit, të medias kanë hedhur nënshkrimin e tyre tregon që referendumi është e vetmja rrugë për të zgjidhur kontestimin që kanë sjellë ndryshimet substanciale në Kushtetutën e Shqipërisë, e cila është miratuar me referendum në vitin ’98”, - tha Meta. I pyetur nëse i druhej përgjigjes refuzuese nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kreu i LSI-së tha se nuk ka asnjë arsye për të ndodhur një gjë e tillë.
“Kjo është një kërkesë shumë e gjerë, nuk është thjesht një kërkesë e disa forcave politike. Unë nuk kam asnjë lloj dyshimi se mund të kufizohet një kërkesë e tillë, pasi nuk ka asnjë të drejtë dhe atribut, KQZ-ja për të bërë një veprim të tillë dhe për deri sa unë personalisht nuk shoh asnjë grimcë mundësie nga ana legale apo administrative që të bllokohet dhënia e këtyre formularëve të këtij standardi, atëherë nuk kam përse të mendoj aktualisht se ç’do të bëjmë në rast kjo gjë mund të ndodh. Ne presim, me marrjen e këtyre dokumenteve të fillojmë, ashtu sikurse e kemi shprehur edhe më parë, marrjen e firmave në mënyrën më të rregullt nga të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët kërkojnë referendum”, - vijoi kreu i LSI-së, Ilir Meta.
29 Maj 2008