Protesta e të burgosurve, Totozani inspektim në Peqin
Pas alarmit të dhënë nga protestat e djeshme të të burgosurve në burgun e Peqinit, Avokati i Popullit, Igli Totozani është drejtuar drejt Peqit për një inspektim. Në këtë insektim Totozani synon të shohë nga afër situatën dhe gjendjen e të burgosurve, për të gjetur një zgjidhje lidhur me ankesat e tyre dhe pretendimet ndaj lejeve dhe përmirësimit të kushteve atje.
Të burgosurit e Peqinit kanë protestuar ditën e djeshme duke kërkuar më shumë leje të kontrolluar si dhe dhe kushte më të mira në burg. Ata kanë kërkuar të takojnë drejtorin e burgut të Peqinit Dashamir Xhika që ti kërkojnë shtimin e numrit të lejeve të përkohshme në një muaj, në mënyrë që ata të takohen me familjarët e tyre. Shkak për reduktimin e këtyre lejeve është bërë arratisja e një të dënuari pak ditë para ndërrimit të viteve, i cili nuk është gjetur deri më tani.
Më parë nga burgu përfitonin leje 10 të dënuar në muaj, ndërsa pas ngjarjes së dhjetorit kjo leje është reduktuar deri në 3 ose 4 në muaj, duke shkaktuar edhe irritimin e tyre. Ndërkohë gjatë ditës së sotme gjithçka i është rikthyer normalitetit.