Referendumi kundër mbetjeve, KQZ: OK kërkesës të AKIP

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka miratuar kërkesën e Aleancës Kundër Importimit të Plehrave (AKIP) , për një referendum kundër importit. KQZ miratoi në mbledhjen e sotme me shumicë votash dërgimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese në 3 janar e vitit të ardhshëm.
Pas vendimit, perfaqesuesi i aleances Lavdosh Ferruni ka deklaruar se KQZ ka vendosur jashte interesave te vendit. “KQZ me kete vendim mban ne sirtar referendumin deri ne vitin 2013. Por ne kete kohe nuk mund te zhvillohet, per shkak te zgjedhjeve”- thote ai, duke shtuar se aleanca do te dale brenda pak diteve me te tjera alternativa.
Edhe me heret në mbledhjen e sotme, përfaqësuesi i grupit nismëtar të AKIP ka theksuar se me deklaratat për firmat e falsifikuara është manipuluar publiku. Ai ka kërkuar nga KQZ-ja të marrë në konsideratë 50 mijë firmat e mbledhura e që jane konstatuar që janë të vlefshme për të miratuar me konsensus nismën për referendum nismën referendare si shprehje e vërtetë e demokracisë popullore.
“Ne nuk e pritëm mirë shtyrjen e takimit për sot. Sot jemi përsëri këtu për bindjen se do merret në konsideratë kërkesa jonë për referendum. Insitojmë se kërkesa është dhënë në kohën e duhur, më 13 mars dhe e çertifikuar nga ju. Ne kërkojmë që të ndiqet linja e djeshme ku u shpreh qartë që ne si firmëtarë i kemi 50 mijë firmat që kërkon kushtetuta. Na vjen keq që është spekuluar me firmat dhe është manipuluar publiku” shtoi ai.
I menjëhershëm ka qënë reagimi i kryetarit të KQZ-së Arben Ristani i cili theksoi se vetë aleanca nuk duhet të kishte toleruar firmat nga e njëjta dorë. “KQZ-ja nuk ka manipuluar publikun.’Ne kemi thënë që 70 përqind të kampionit që ne çuam për verifikim ishin të falsifikuar prandaj është e papranueshme që të thuhet se procese të tilla ne e dimë si po kalojmë në Shqipëri”- tha Ristani.
Anëtari i djathtë në KQZ, Njazi Kosovrasti kërkoi hetime të thelluara për manipulimin e firmave. “Ishte e qartë dhe me sy të lirë dukej që firmat ishin vënë nga e njëjta dorë”. Por kërkesa e tij për hetim u rrëzua nga anëtarët e tjerë të KQZ-së.
Ndërkohë Aleanca Kundër Importimit të Plehrave arriti të merrte më shumë se 62 mijë firma nga qytetarët duke tejkaluar kështu me disa mijë kuotën për mbajtjen e referendumit.